Lajme

“Nëse nuk rriten pagat, punëtorët teknikë largohen nga spitalet” – Azemi me kërkesa për Vitinë


Jusuf Azemi dhe Arben Vitia

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, të martën do të takohet me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, nga i cili do të kërkoj rritje të pagës për punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit që punojnë në institucionet shëndetësore.

Azemi në një bisedë për Albanian Post pohon se kompani të ndryshme kanë propozuar oferta për punëtorët e njëjtë që punojnë në këto institucione për të kryer punën e ngjashme, por me paga  më të larta.

“Do të bisedojmë për punëtorët që punojnë në spitale, kryesisht punëtorët teknik dhe ata të sigurimit fizik. Do t’i rekomandojmë ofertë për rritjen e pagave sepse kemi një ofertë nga kompanitë e tjera me paga më të larta rreth 400-450 euro për të njëjtën punë, ndërsa në spitalet e QKUK-së punëtorët paguhen në pagë prej 270 euro”, thotë Azemi për AP.

Ai tutje paralajmëron se në rast se nuk do të ketë ngritje të pagave, atëherë punëtorët do të largohen.

“Realisht nëse nuk lëvizin pagat ne do të lirojmë punëtorët, sepse pronarë të kompanive kanë ardhur tek ne dhe kanë kërkuar deri në 200 punëtorë dhe kanë propozuar oferta të ndryshme”.

“Kërkesat ministrit të Shëndetësisë, do të ia paraqesim me shkrim në tavolinë nëse është i gatshme që të miratojë ato mirë, ndërsa nëse jo sigurisht që shumë shpejt do të ndihet mungesë e madhe e këtyre punëtorëve në këto spitale”.

Mirëpo në këtë takim Azemi, do të paraqesë edhe kërkesa të tjera.

Kërkesa këto të cilat konsideron se po e diskriminojnë sektorin privat nga ai publik.

“Përveç rritjes së pagës do të kërkojmë që të paguhet stazhi i punës, do të kërkojmë stimulimin e ngjashëm se si është bërë për punëtorët shëndetësorë sepse edhe këta në njëfarë forme janë punëtorë publikë”.

Në rast të mospranimit të tyre ankesat sektori privat do të vazhdojë t’i paraqesë në gjykatë.

“Nëse këtë stimulin prej 60 eurosh janë të gatshëm ta paguajnë në rregull, nëse nuk janë të gatshëm ne e kemi një lëndë në gjykatë dhe do ta bëjmë edhe vazhdimin e pjesës së dytë që të stimulohen. Këta punëtorë janë sanksionuar edhe kur shteti ndau 50 euro për katër muaj punëtorëve të sektorit publik, për këta punëtorë nuk janë ndarë”.

Pas publikimit të vlerës së koeficientit për ligjin e pagave nga Qeveria e Kosovës, sektori privat më 1 shkurt kishte dalur me kërkesë që punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik që janë të punësuar nga ky sektor të paguhen duke u bazuar në koeficientin që është caktuar nga ekzekutivi.

Kërkesa ishte bërë nga kryetari i Federatës Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), Jusuf Azemi, përmes një letër dërguar kryeministrit Albin Kurti, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Sektori privat i punësuar për shtetin kërkon të paguhet sipas Ligjit për paga

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore