Maqedonia e Veriut të shtunën, për të tretën herë me radhë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, ka dëbuar tre diplomatë rusë.
Më 16 shtator Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se diplomatët janë dëbuar për shkak të “veprimtarisë së tyre në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”, pa dhënë detaje tjera se për çfarë aktivitetesh bëhet fjalë.
“Më 12 shtator, ambasadori i Federatës Ruse është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe i është dorëzuar nota diplomatike, me të cilën janë shpallur persona non grata tre diplomatë në Ambasadën e Federatës ruse në Shkup”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Informacionin për shpalljen e diplomatëve rusë si “persona të padëshiruar” fillimisht e ka bërë të ditur Ambasada Ruse, më 15 shtator.
Për Rusinë, shpallja e tre diplomatëve të padëshirueshëm është një “akt i papërgjegjshëm dhe armiqësor”.
“Më 12 shtator, autoritetet e Maqedonisë së Veriut, pa sqaruar arsyet, i shpallën ‘persona non grata’ tre diplomatë të Ambasadës ruse në Shkup. Hapi i papërgjegjshëm dhe armiqësor i autoriteteve të Maqedonisë së Veriut nuk do të mbetet pa përgjigje”, thuhet në deklaratën e Ambasadës ruse.
Në mars dhe prill të vitit 2022, Maqedonia e Veriut kishte dëbuar 11 diplomatë rusë, me arsyetimin e njëjtë, përkatësisht “shkeljen e Konventës së Vjenës për marrëdhënie diplomatike”.
Si kundërpërgjigje ndaj këtij vendimi, Rusia kishte dëbuar një diplomat maqedonas nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Moskë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Mihali përfundon intervistimin: Jam këtu për të ndihmuar Prokurorinë Speciale
-
Hezbollahu thotë se ka kryer sulme me raketa në veri të Izraelit
-
I arrestuar në Angli me 3 kg kokainë, Prokuroria Kukës kërkon konfiskim të pasurisë
-
Gërvalla udhëton në Kanada, merr pjesë në Takimin e Grave Ministre të Punëve të Jashtme