Krasniqi: Kosova ndodhet në një situatë të paprecedentë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas dështimit për të 13-tën herë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, vlerësoi se Kosova po ndodhet në një situatë të paprecedentë, për të cilën fajësoi Lëvizjen Vetëvendosje.
“Po bëhen tre muaj që vullneti i qytetarëve është duke u dhunuar nga qasja e Lëvizjes Vetëvendosje. Është vështirë të gjenden fjalë për ta përshkruar këtë situatë”, tha Krasniqi.
Ai theksoi se PDK-ja mbetet e përkushtuar për të dalë nga bllokada institucionale, duke kërkuar zgjidhje për zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit.
“E shprehim vullnetin tonë të konfirmuar për të insistuar që të dalim nga kjo bllokadë që na ka sjellë LVV-ja. Haxhiu nuk i ka votat. Ne do të jemi këtu, por do ta kemi qëndrimin e njëjtë – të ndërrohet kandidati,” përfundoi Krasniqi.
Krasniqi ndër të tjera tha se partia e tij do ta shqyrtojë propozimin e AAK-së që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetshmërinë e situatës në Kuvend.
“Nuk e kam parë lëndën. Sapo u njoftova. Kemi ekspertizën e duhur për të vlerësuar a duhet të dërgohte diçka në Kushtetuese. Do ta shqyrtojmë. Do ta marrë mendimin e ekspertëve”, tha Krasniqi.