Kosova

Kurti i befasuar: Unë sot e mora vesh pse s’po ecë dialogu, Lajçaku qenka i kushtëzuar nga Vuçiç-i


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është dalur nga takimi i sotëm me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, e ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, përkatësisht me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe të dërguarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shumë i befasuar.

Ai ka sulmuar Lajçak-un duke e quajtur njeri të kushtëzuar nga Aleksandër Vuçiç, derisa shtoi se tashmë qëndrimi i Serbisë është bërë qëndrim i ndërmjetësit Lajçak.

“Unë sot e mora vesh pse ka gjashtë muaj që nuk ecë puna me Marrëveshjen, sepse i është vënë një pengesë kapitale qysh në fillim e është kushtëzimi i Serbisë”, tha Kurti.

“Unë këtë dokument nuk e kam pasur, nuk e kam ditur, por për mua tash është e qartë se kushtëzimi i Serbisë është shndërruar në qëndrim të Lajçak-ut. Për të ecur para duhet të tejkalohet kjo”.

______________________________________________________________________________________________

Kurti: Lajçaku është kushtëzuar nga Serbia, unë nuk kushtëzohem – takimi s’pati rezultat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në një deklarim para mediave ka thënë se takimi nuk ka pasur rezultat.

Sipas Kurtit, rezultati ka munguar pasi që “nuk ka mundur të ketë kompromis meqenëse nuk mund të ketë kompromis midis propozimit me sekuencë dhe propozimit të vjetër”.

“Kur unë kërkova gjatë këtij takimi që ta shoh propozimin që ka dhënë Serbia, sepse mu tha se ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje të sillnin”.

“Pas përfundimit të takimit, mu dha një dy faqesh në anglisht dhe në serbisht cirilik, i cili paraqet një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që do të thotë se nuk mund të jetë udhërrëfyesi i sekuencuar si propozim i palës serbe, por që në fakt ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë që njëherë të zbatohet Asociacioni i Komunave të Shumicës Serbe – pra ajo marrëveshja e para 10 viteve – e më pas mund të kalojmë në zbatimin e Marrëveshjes Bazë”.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se në takim iu është dashur që “t’u them se nuk jemi në prillin e vitit 2013, kur në dhomë ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari i saj Robert Cuper dhe kryeministrat e asaj kohe Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç”.

“Nuk është marrëveshja 2012-ës. Qartë neni 10 i Marrëveshjes Bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel, të cilat janë të obligueshme dhe valide, e janë 39 sosh gjithsejtë”.

“Por nuk mundet nga neni 10 nga 33 marrëveshje të përzgjidhet vetëm një e tillë dhe të vendoset ‘sikurse qerrja para kuajve’, të bëhet edhe thelb edhe parakusht”.

Një kushtëzim të tillë, pohoi ai, “nuk e kam pranuar”.

Sipas tij, “është për të ardhur keq që emisari evropian (Miroslav) Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë”, pasi që thekson se kushtëzimi që e ka pranuar ndërmjetësi Lajçak, “e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues dhe ndërmjetësues, por unë nuk mund ta pranoja një gjë të tillë duke cenuar asisoj Kosovën, kryeministër i së cilës jam”.

Kurti pohoi se kur është konstruktiv dhe bënë propozime, shkaktohet “një lloj nervoze në dhomë dhe vështirësohet dialogu”.

“Shpreh edhe një herë gatishmërinë e plotë për secilin nen nga 11 sosh të Marrëveshjes Bazike, secilën fjali nga 6 sosh të preambulës dhe secilën pikë nga 12 sosh të aneksit të zbatimit të Ohrit, jam i gatshëm dhe i interesuar që ta zbatoj një orë e më parë; në plotni, pa asnjë kusht”.

Kurti potencoi se në takimin e së enjtes në Bruksel, nuk ka pasur asnjë propozim, “përveç asaj që kam sjellur unë si kryeministër i Kosovës”.

Në konferencën për media pas takimit me Kurtin dhe Vuçiç-in, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se “BE-ja e sheh dorëheqjen e kryetarëve [të katër komunave Veriore] që janë zgjedhur nga vetëm 3 për qind e popullatës, si rruga më e shpejtë e më e mirë që të mundësohen zgjedhjet e reja”.

Mirëpo, me këtë nuk u pajtua kryeministri Kurti, pasi që ai insistoi në shkarkimin e kryetarëve përmes peticionit.

“Jam interesuar për zgjedhje të parakohshme sa më parë, por nuk mund ta detyrosh askënd për dorëheqje në emër të askujt, kjo duhet të bëhet duke respektuar Udhëzimin Administrativ”, shtoi.

Ndërkaq, ai deklaroi se Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – “si një degë e partisë në pushtet [në Serbi] që vepron në Kosovë dha dorëheqje nga komunat në Veri të Kosovës dhe këtë e bën me qëllim të keq dhe të gabuar”.

Prandaj, thekson Kurti, “për gabimin e tyre nuk do të duhej të paguanin kryetarët aktual”.

“Nuk ka propozim Beogradi, ka dokument kushtëzues që kur ta lexoni do ta vërtetoni, s’mund të ketë kompromis midis propozimit dhe kushtëzimit, dhe e fundit, e që është e para, sot dokument të shkruar me propozim konkret ka sjellur vetëm Kosovës, përmes meje”.

Për deklaratën e Vuçiç-it i cili tha se “do të vij në Graçanicë për t’i vizituar serbët”, kryeministri i Kosovës i pyeti gazetarët se “a e kanë parë lejen dhe a e keni parë kërkesën”, teksa u shpreh “se kur ta pranojnë kërkesën do ta analizojmë me seriozitetin dhe me sinqeritetin më të lartë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore