Kosova

Nis takimi Kurti-Vuçiç


Pamje nga takimi në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me Përfaqësuesit e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Ka filluar takimi në mes të kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përkatësisht Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, si dhe të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Takimet në Bruksel këtë të enjte kanë filluar nga që nga ora 9:00.

Para takimit trelateral, fillimisht zyrtarët evropianë janë takuar me presidentin serb, Vuçiç dhe më pas me kryeministrin Kurti.

Pamje nga takimi në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me përfaqësuesit e BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Pas takimin me Borrell-in dhe Lajçak-un, është lajmëruar presidenti serb Vuçiç.

Përmes një postimi në Facebook, Vuçiç teksa njoftoi për takimin me përfaqësuesit evropianë, shkroi se “bisedimet e vështira në Bruksel sapo kanë filluar”.

Në takimin e fundit në Bruksel, Vuçiç dhe Kurti nuk u ulën në të njëjtën tryezë.

Një fjalim i Josep Borrell u njoftua midis orës 15:00 dhe 18:00.

Siç u tha më herët, temat e takimit janë zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit për zbatimin e marrëveshjes.

Ky takim në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it është i pari pas më shumë se katër muajsh.

Kosova dhe Serbia ishin dakorduar për Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve, fillimisht në Bruksel më 27 shkurt, dhe e përforcuar me planin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

Mirëpo, tensionet e krijuara në Veriun e Kosovës që nga 26 maji e kishin lënë në hije zbatimin e saj.

Prandaj, edhe ky takim është në këtë kontekst; që palët të zbatojnë atë që e kanë pranuar.

Marrëveshja e pranuar nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përmbante 11 nene.

Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore