Shqipëria

‘Duhet bërë durim në luftën kundër korrupsionit, sepse kemi hyrë në fazë të re’ – Rama reagon për arrestimin e Vangjush Dakos?


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një takimi falënderimesh në Berat ka përmendur se duhet bërë durim, kur vjen puna te lufta kundër korrupsionit, pasi vendi ka hyrë në një fazë të re.

Këtë gjë, pikërisht pak minuta pasi është vërtetuar lajmi se Vangjush Dako, ish-kreu i Bashkisë Durrës, është vetëdorëzuar, si rrjedhojë e një urdhër-arresti të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme SPAK në emër të tij dhe të paktën gjashtë ish-zyrtarëve të tjerë të bashkisë bregdetare.

“Për herë të parë në histori po goditen njerëz të lidhur me pushtetin. Kjo nuk është e lehtë, sepse nuk ndjehesh mirë, kur shikon dikë që deri dje ka qenë krah teje dhe tani është krah prokurorit dhe gjykatësit”, shtjelloi Rama në fjalën e tij.

Megjithatë, sipas tij, Partia Socialiste duhet të ndihet krenare, pasi ka dhënë kontribut në gjithçka çfarë po ndodh sot në Shqipëri (duke përmendur arrestimet e bujshme) dhe më parë, diçka e tillë, kurrë s’ka ndodhur me forca të tjera politike.

Çfarë ka ndodhur me Vangjush Dakon?

Ish-kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, ka pranuar të vetëdorëzohet pas lëshimit të një urdhër-arresti nga ana e Prokurorisë së Posaçme SPAK, e cila e akuzon atë për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Në Drejtorinë e Policisë Tiranë është bërë gati gjithçka për pritjen e ish-zyrtarit të lartë të bashkisë bregdetare, teksa të paktën gjashtë urdhër-arreste të tjera janë lëshuar për ish-funksionarë në sektorin e urbanistikës.

Rasti i dyshuar është ai i korrupsionit lidhur me një pallat të dëmtuar nga tërmeti në Durrës, lejen e të cilit e ka dhënë vetë Dako dhe madje pallatit i janë shtuar në mënyrë jo të ligjshme disa kate fillimisht, të cilat janë legalizuar më pas.

Ky pallat është dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe vetë banorët e kanë denoncuar disa herë rastin.

Dako ndërkaq, më 16 mars, është marrë në pyetje nga SPAK, por detaje lidhur me çfarë ai u pyet nuk u bënë me dije.

Ish-kryebashkiaku i Durrësit ka qenë edhe më parë i përfolur për lidhje korruptive, ku masën më të lartë e ka marrë më 30 korrik 2019, me shpalljen si persona non grata nga SHBA-të.

Neni 7031(c) e futi edhe atë në thesin e zyrtarëve të lartë shqiptarë, të cilët janë të papëlqyeshëm për Amerikën.

Përcaktimi i Vangjush Dakos dhe familjes së tij si non grata

Detaje të mëtejshme priten të bëhen me dije nga vetë SPAK, duke specifikuar edhe rrethanat e arrestimeve dhe akuzat, ku paraprakisht mësohet se lidhen me korrupsionin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore