Lajme

Kurti është vendosur në pozitë të vështirë nga Escobar – amerikani tregoi se Qeveria e ka statutin e Asociacionit, por e ka mbajtur fshehur nga publiku


I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Deklaratat e ashpra e të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndaj Qeverisë së Kosovës treguan edhe një herë se Kosova nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të ndjek hapat që po kërkohen nga ndërkombëtarët.

Drejtori i Organizatës për Demokraci “Çohu”, njëherësh edhe analisti politik, Arton Demhasaj, në një bisedë për Albanian Post thotë se deklaratat e fundit treguan për një situatë të krijuar që lidhet më shumë me “një individ”, sesa “me popullin”.

“Deklaratat e fundit të zotërit Escobar lidhen më pak me popullin, e më shumë me individin. Kështu që me shumë gjasa është një lloj kërcënimi që në rast se Qeveria nuk i pranon kushtet që i kanë caktuar vendet e Perëndimit, atëherë potencialisht vendi mund të shkojë në zgjedhje”, thotë Demhasaj për AP.

Për deklaratën e Escobar-it se “Qeveria e Kosovës e ka statutin e Asociacionit, thjesht s’po duan ta publikojnë”, ai thotë se një gjë e tillë është ditur tashmë që nga takimi që ishte realizuar me 27 shkurt.

Sipas tij, tani ka mbetur vetëm të publikohet drafti se si ekzekutivi është duke e parë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Sigurisht që është pranuar Asociacioni, që nga marrëveshja e 27 shkurtit. Pra, pranimi i marrëveshjes nënkupton që është pranuar edhe Asociacioni. E vetmja lëvizje është që Qeveria nuk është duke e dorëzuar një draft se si e sheh Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.

Demhasaj, kërkon që në mënyrë urgjente të pranohen kushtet e faktorit ndërkombëtar, në rast se dëshiron që situata të mos eskalojë më shumë.

“Në një situatë të tillë duhet të pranohen kushtet e faktorit ndërkombëtar, sidomos pas deklaratave të fundit të Escobarit pasi s’kemi rrugë tjetër. Përkrahje më të fuqishme se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk kemi pasur dhe as nuk do të kemi asnjëherë”.

“Kryeministri me dy role”

Në anën tjetër politologu, Shkodran Ramadani, çdo herë e më shumë deklaratat e Escobar-it, po i sheh si më të ashpra në raport me Kosovën.

Nga këndvështrimi i tij edhe ultimatumet të cilat po vendosen, janë duke e humbur kredibilitetin.

“Tani, Escobari në deklaratën e tij të fundit erdhi me fjalë edhe më të ashpra, por asnjëherë nuk po i dihet saktë respektimit të ultimatumeve. Unë besoj që fatkeqësisht ultimatumet janë duke humbur kredibilitetin për shkak që ato nuk po realizohen dhe pa pasur veprime konkrete, atëherë unë nuk e di më si t’i komentoj këto veprime”.

Veri, protestat

Ndërsa, sa i përket asaj se Qeveria e Kosovës e ka statutin e Asociacionit, ai deklaron se “është vështirësuar edhe më shumë pozicioni i kryeministrit”.

Përmes kësaj, sipas tij, tregohet për rolet që kryeministri po luan në këtë situatë.

“Kjo është diçka e re, sepse e paska vështirësuar jashtëzakonisht shumë pozicionin e kryeministrit Albin Kurti, sepse është gjë që është mbajtur e fshehur nga populli i Kosovës dhe kjo sigurisht tregon në një farë mënyre, fytyrën e vërtetë të kësaj Qeveria e cila në njërën anë bënë spektakle në Veri, kurse në anën tjetër në mënyrë të fshehur pajtohet për avancimin e mëtejmë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe apo siç i thoshte dikur zotëri Kurti ‘Zajednica’”.

Ndryshe, Escobar ka mbajtur një takim me gazetarë, të një formati audio, ku ka folur për moskordinimin e Qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çka tha se natyrisht që do të ketë pasoja.

“Dua t’u siguroj njerëzve të Kosovës që lidhja në mes të SHBA-ve dhe Amerikës është në mes të popullit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo lidhje është e fortë dhe s’do të ndryshojë. Ne prapë do të jemi miqtë tuaj të fuqishëm, jemi të përkushtuar në pavarësinë dhe sovranitetin tuaj, sigurinë tuaj dhe prosperitetin ekonomik”.

“Shpresoj se njerëzit e kuptojnë se çfarëdo vështirësisë që jemi duke pasur me kryeministrin aktual nuk e afektojnë atë raport dhe atë ndjenjë. Por kemi sfida në raportin bilateral sa i përket kryeministrit”, potencoi Escobar.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it, u lënduan edhe dhjetëra protestues.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe vazhdimisht kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore