Lajme

Tahiri: Kemi nisur punën për mocionin mosbesues ndaj Qeverisë – duhet vetëm të diskutohet me dy partitë opozitare


Shefi i grupit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri

Shefi i grupit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se kanë nisur mocionin mosbesues ndaj Qeverisë së Kosovës.

Ai pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ka deklaruar se “po kemi nisur punën”.

“Mocionin e kemi nisur, e kemi përpiluar. Tash, duhet vetëm të jetë në diskutim me dy partitë opozitare për t’i dhënë komentet e tyre në draft. Ka qenë si reflektim i kryeministrit që e ka bërë në atë pjesë të Veriut”, ka thënë Tahiri.

Teksa për kërkesat e Listës Serbe, ai ka thënë se shteti i Serbisë nuk është në pozicion ta kushtëzoj Kosovës.

“Lista Serbe e as Vuçiç nuk është në pozicion të kushtëzoj Kosovën. Ne kemi shtet, institucione, parlament. Ajo çka dua të them është si Aleancë ne kemi qenë shumë të sinqertë me këtë Qeveri, ne jemi të vetmit që kemi dalur dhe kemi thënë në Kuvend zotëri kryeministri mos hy në zgjedhje, sepse je duke hyrë në një eksperiment që nuk mund të dalësh. Dhe ndodhi ajo çfarë u tha”.

Ai tutje ka kërkuar sqarim në atë se si do të mbahen zgjedhjet e reja, prej cilit buxhet të Kosovës.

“Tash, kryeministri dhe Qeveria a duhet që kabineti qeveritar prej xhepit të tyre të paguajnë për zgjedhjet e reja. Pra, ka qenë një eksperiment që nuk i ka sjellur asgjë të mirë Kosovës, veçse e ka dëmtuar si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtarë”.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për NBC NEWS, të premtën ka paralajmëruar zgjedhje në Veri, por kjo, sipas tij, do të ndodhë me kusht që fillimisht banditët që shkaktuan dhunë në protesta të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar zgjedhje të reja në Veri pas tensionimit të situatës tash e 8 ditë në Veri, ku po mbahet protesta nga serbët lokal.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten, me vendim të kryeministrit Albin Kurti realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera partnere të QUINT-it (Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), e kanë bërë fajtore Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore