Sport

Zëvendës-ministrja e sportit thotë se dy ndeshjet e djeshme janë proceduar për hetime në prokuroritë përkatëse


Zëvendës-ministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka thënë se ndeshjet e djeshme në futbollin kosovar do të hetohen nga prokuroritë përkatëse.

Përmes një postimi në faqen e saj në Facebook, Osmani ka thënë se ndeshjet e xhiros së fundit në Albi Mall Superligën e Kosovës, Prishtina me Trepçën dhe Ferizaj me Dukagjinin janë proceduar për hetime në prokuroritë përkatëse nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport.

“Ndeshjet e futbollit që u zhvilluan dje në kuadër të Superligës së Kosovës, Prishtina me Trepçën dhe Ferizaj me Dukagjinin, që të dyja, janë proceduar për hetime në prokuroritë përkatëse nga Këshilli për Parandalimin e Dhunës në Sport”, ka shkruar Osmani.

“Nuk mund t’i mbyllim sytë para dyshimeve, por as edhe të jemi pre e spekulimeve. Andaj, kërkojmë nga autoritetet dhe personat përgjegjës të organeve të rendit që të procedojnë tutje me shumë kujdes dhe me kohë”.

Ajo shtoi duke thënë se është një dhimbje që sporti në vend njolloset, derisa tha që kalkulimet nuk do të kenë vend.

“Është e dhimbshme kur imazhi i sportit në vend njolloset me shenja që shkaktojnë dëme të thella dhe vështirë të riparueshme në komunitet”.

“Sporti është i sportistëve dhe atyre që punojnë për rezultate. Kalkulimet dhe llogaritë e përfitimeve mbi djersën dhe mundin e tyre, nuk duhet të kenë vend në sportin vendor në asnjë formë dhe asnjë moment”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Këto reagime erdhën pas ndeshjeve të djeshme të xhiros së fundit në Superligën e Kosovës, ku Ferizaj dhe Trepçaa’89 morën fitore shumë të dyshimta ndaj Dukagjinit, respektivisht Prishtinës.

Sikurse Ferizaj, ashtu edhe Trepç’89 shënuan gola të dyshimtë, derisa ai i pari ishte vërtetë skandaloz, që u realizua në minutën e 15-të shtesë dhe reagimi i portierit të Dukagjinit, Atik Muhaxhiri, ishte qesharak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore