Lajme

Policia me gaz lotsjellës futet në objektin e Zveçanit


Fotografia nga vendi i ngjarjes

Policia e Kosovës ka arritur që të futet në objektin e komunës së Zveçanit, por vetëm pasi është dashur të përdorë gaz lotsjellës.

Nga disa video të publikuara nga qytetarë dëgjohen edhe të shtëna armësh.

Qytetarët e shumtë serbë janë parë duke u shpërndarë pas gazit lotsjellës e të shtënave armësh.

Në video të shumta të publikuara shihet se qytetarët serbë kanë gjuajtur policinë me gjësende të forta.

Ndryshe Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se ka qenë duke i asistuar kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hyjnë në objektet e ndërtesave komunale.

Në mesditën e së premtes në katër komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokal të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokal në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post pak orë më parë ka raportuar mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë, institucionet e Kosovës janë të vendosura të vazhdojnë me planin.

Albanian Post ka kuptuar nga burime brenda qeverisë së Kosovës se tashmë ka urdhër që të rikthehen objektet komunale.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka urdhëruar udhëheqësit e strukturave paralele në Veri “të mos qëllojnë të parët”, pas planit operativ të Policisë së Kosovës për të marrë objektet komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Këto informacione kanë ardhur tek perëndimorët, konfirmon një burim ndërkombëtar për Albanian Post.

I njëjti burim thotë se tashmë nga pala serbe është aktivizuar protokolli i sigurisë.

“Beogradi ka aktivizuar protokollin e vetë të sigurisë, urdhri është ‘Don’t shoot first (mos qëlloni të parët)”, ka treguar burimi për AP-në.

Qeveria, pa pajtimin amerikan, e vendosur t’i kthejë objektet komunale në Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore