Lajme

Aneksi i marrëveshjes të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvend, Osmani pas takimit me Lajçakun


Aneksi i zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Kështu të paktën ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Osmani potencoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatë për media e lëshuar nga Zyra e Presidentes.

Sipas kësaj komunikate në takimin mes Lajçakut dhe Osmanit, është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Osmani ka ritheksuar se Kosova mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon.

Osmani, ndër të tjera ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese.

Megjithatë Albanian Post ka kuptuar nga burime diplomatike të përfshira thellë në procesin negociator, se Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të dërgohet fare për ratifikim në parlamentet e dy shteteve, meqë e njëjta nuk është një marrëveshje finale mes dy vendeve.

Siç edhe theksohet në nenin 6 të tekstit, “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë” është vetëm një hap thelbësor drejt normalizimit të plotë.

Pra, kjo marrëveshje nuk është marrëveshja përfundimtare ligjërisht e obligueshme.

Një nga arsyet e mos-pasjes nevojë për dërgim në parlamente është se gjithçka që marrëveshja ekzistuese trajton shtrihet brenda fushës së kompetencave ekskluzive që kanë të dy qeveritë, përfshirë edhe zotimet e caktuara për sjellje te përgjegjshme dhe paqësore në rrafshin ndërkombëtar.

“Ne nuk presim që qeveria në Beograd a do ta dërgojë këtë marrëveshje për ratifikim në parlament, rrjedhimisht edhe qeveria në Prishtinë nuk ka nevojë ta bëjë këtë”, thotë për Albanian Post një burim diplomatik brenda procesit të hartimit të udhërrëfyesit për implementim të marrëveshjes.

“Kjo marrëveshje mund të jetë temë e një debati politik në parlamentet e të dyja palëve, por, në pikëpamje ligjore, nuk ka nevojë që marrëveshja t’i nënshtrohet votimit në parlament”, thotë burimi.

Nis takimi, Lajçak pritet nga Osmani  

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, këtë të enjte, është pritur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në çështjen e procesit të dialogut.

Top-diplomati evropian pas Osmanit do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të biseduar për planin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pos krerëve institucional, Lajçak, do të takohet edhe me krerët e partive opozitare, kjo pasi që Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë shprehur kundërshtinë e tyre për Marrëveshjen, derivat i propozimit franko-gjerman, me arsyetimin se e njëjta nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë.

Më 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i thanë po propozimit franko-gjerman të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, por nuk pati nënshkrim në Marrëveshjes derivat i këtij propozimi për shkak të mospajtimeve për zbatimin e tij, që do të kërkojë me shumë bisedime.

Mu për këtë arsye më 18 mars Kurti dhe Vuçiç pritet të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut për të diskutuar udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian, pa të cilin nuk mund të ketë marrëveshje.

Prandaj diplomati sllovak i cili sot e nesër do të qëndrojë në Prishtinë, ndërsa në fillim të javës që po vjen në Beograd, do të përqendrohet në sigurimin e një pajtimi rreth zbatimit të planit i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe.

Fluturimi i fundit diplomatik

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore