Kosova

“BE ia ka ulur presionin Serbisë për sanksione ndaj Rusisë, sepse po pret nënshkrimin e Marrëveshjes me Kosovën”


Foto nga Albanian Post

Ashtu siç ka raportuar Albanian Post me 18 shkurt se në takimin e radhës nw Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet një pajtim për marrëveshjen mes dy shteteve bazuar në propozimin franko-gjerman (evropian) edhe gazeta serbe Danas, mbështetur në burimet e tyre diplomatike, shkruan se ndërkombëtarët kanë ndërtuar pikërisht këtë projeksion për takimin e 27 shkurtit.

Madje, shkruan Danas, kjo është edhe arsyeja që ndërkombëtarët nuk po i bëjnë shumë presion Serbisë më për sanksione ndaj Rusisë, sepse e shohin edhe marrëveshjen me Kosovën si një hap shumë i rëndësishëm që eventualisht çon në drejtimin e vendosjes së sanksioneve.

“Në këtë moment, para takimit të rëndësishëm në Bruksel më 27 shkurt, kërcënimet ndaj Serbisë nga BE-ja për shkak të mosvendosjes së sanksioneve mund të jenë kundërproduktive”, thonë burimet e Danas.

“Sipas bashkëbiseduesve tanë”, shkruan Danas, “të dyja palët pritet të nënshkruajnë planin amerikano-evropian (franko-gjerman) për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i njohur më mirë si propozimi franko-gjerman”.

“Edhe pse sanksionet ndaj Rusisë mbeten kushti themelor për vazhdimin e integrimit evropian të Serbisë, prej të cilave BE-ja nuk do të heqë dorë, presioni ndaj Serbisë aktualisht është pakësuar me një hije pasi Bashkimi Evropian dhe SHBA presin fillimin e zgjidhjes së problemit me Kosovën, vlerësojnë jozyrtarisht burime diplomatike të Danas pranë institucioneve evropiane”, shkruan gazeta.

Çfarë ka raportuar Albanian Post me 18 shkurt?

Nëntë ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Albanian Post kupton nga burime diplomatike se një pajtim për nënshkrim tashmë është dhënë nga të dyja palët.

Nëse gjithçka shkon sipas planit të rënë dakord, pas takimit të 27 shkurtit palët dalin me njoftimin se ka pajtim, edhe pse nënshkrimi zyrtar mund të mos bëhet atë ditë.

Kjo mund të ruhet për një moment tjetër, më ceremonial, dhe do marrë vëmendjen e nevojshme diplomatike e mediale të botës perëndimore.

Burimi i AP-së – bazuar nga çfarë është parë në rrugëtimin pesë mujor të diskutimit për “kornizën e re”, pasi në proces u përfshinë fuqishëm Franca dhe Gjermania, përmes Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, këshilltarëve kryesorë të presidentëve Olaf Scholz e Emmanuel Macron – paralajmëron për një drojë të ndërkombëtarëve, gjithsesi pajtimi deklarativisht është dhënë.

Këtë e dëshmon edhe thirrja simbolike e Bashkimit Evropian për takim të nivelit të lartë në Bruksel pikërisht në ditën e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Të hënën me 27 shkurt Përfaqësuesi i lartë/Zëvendës Presidenti i Komisionit, Josep Borrell do të organizojë një takim në nivel të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës në kuadër të dialogut”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Shërbimi i veprimit të jashtëm i BE-së.

Se takimi i nivelit të lartë duhet të prodhojë patjetër një rezultat konkret e pohoi edhe i dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak kur ishte për herën e fundit në Kosovë, me 6 shkurt.

Pas udhëtimit të 10-të në Kosovë qysh nga shtatori i vitit paraprak, Lajçak pohoi se e gjithë kjo diplomaci fluturuese është në funksion të një përgatitje për gjëra konkrete në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë.

Ai deklaroi që po sigurohet se “po lëvizim përpara dhe kur të takohen liderët takimi të jetë konstruktiv”.

“Po”-të në parim nga Kurti e Vuçiç janë dhënë akoma pa u realizuar takimi, edhe pse me gjuhë ambige.

Ekskluzive: Çfarë do të ndodhë në takimin e 27 shkurtit në Bruksel…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore