Pajisje

Zbulimi që mund të revolucionarizojë botën kompjuterike


Shkencëtarët kanë bërë një hap më afër krijimit të kompjuterëve kuantikë.

Këta të fundit përdorin cilësitë e çuditshme të grimcave kuantike, të cilat mund të jenë në dy vende në të njëjtën kohë dhe gjithashtu të lidhura edhe pse janë miliona milje larg njëra-tjetrës.

Ndaj dhe një ekip i Universitetit të Sussex-it transferoi informacion kuantik midis çipave kompjuterikë me shpejtësi dhe saktësi rekord.

Shkencëtarët e kompjuterave janë përpjekur të bëjnë një kompjuter kuantik efektiv për më shumë se 20 vjet.

Sipas profesor Winfried Hensinger, i cili udhëhoqi kërkimin, zhvillimi i ri hap rrugën për sistemet që mund të zgjidhin probleme komplekse të botës reale, për të cilat kompjuterët më të mirë sot nuk janë të aftë.

“Tani për tani ne kemi kompjuterë kuantikë me mikroçipe shumë të thjeshtë”, ka thënë ai.

“Çka kemi arritur është aftësia për të realizuar kompjuterë kuantikë jashtëzakonisht të fuqishëm, të aftë për të zgjidhur disa nga problemet më të rëndësishme për industritë dhe shoqërinë”, ka treguar ai.

Aktualisht, kompjuterët zgjidhin problemet në një mënyrë të thjeshtë lineare.

Në fushën kuantike, grimcat mund të jenë në dy vende në të njëjtën kohë dhe studiuesit duan ta shfrytëzojnë këtë veti për të zhvilluar kompjuterë që mund të bëjnë llogaritje të shumta në të njëjtën kohë.

Po ashtu grimcat kuantike mund të jenë miliona milje larg njëra-tjetrës dhe të lidhen, duke pasqyruar veprimet e njëra-tjetrës në çast.

Ndërkohë, pengesë ka qenë nevoja për të transferuar informacionin kuantik midis çipave shpejt dhe me besueshmëri.

Por ekipi ka bërë një përparim që mund ta ketë kapërcyer atë pengesë.

Ata zhvilluan një sistem të aftë për të transportuar informacion nga një çip në tjetrin me një besueshmëri prej 99.999993 për qind me shpejtësi rekord.

Sipas studiuesve, kjo tregon se në parim çipat mund të vendosen së bashku për të bërë një kompjuter kuantik më të fuqishëm.

Një nga firmat kryesore inxhinierike në Mbretërinë e Bashkuar, Rolls Royce, është optimiste për teknologjinë.

Firma po punon me studiuesit e Sussex-it për të zhvilluar makina që mund t’i ndihmojnë ata të dizajnojnë motorë avionësh edhe më të mirë.

E gjitha sepse superkompjuterët e fuqishëm përdoren për të modeluar rrjedhën e ajrit në simulime për të testuar modele të reja të motorëve të avionëve.

Në parim, një kompjuter kuantik mund të gjurmojë rrjedhën e ajrit me saktësi edhe më të madhe dhe ta bëjë këtë me të vërtetë shpejt.

Profesor Leigh Lapworth, i cili po udhëheq zhvillimin e llogaritjes kuantike për Rolls-Royce, ka thënë se kompjuterët kuantikë do të jenë në gjendje të bëjnë llogaritje që nuk mund të bëhen aktualisht.

“Potenciali për t’i bërë ato brenda ditëve thjesht do të transformonte sistemet tona të projektimit dhe do të çonte në motorë edhe më të mirë”, ka shtuar ai.

Gjithashtu teknologjia mund të përdoret potencialisht për të dizajnuar ilaçe më shpejt duke simuluar me saktësi reaksionet e tyre kimike, një llogaritje shumë e vështirë për superkompjuterët aktualë.

Ata gjithashtu mund të ofrojnë sisteme edhe më të sakta për të parashikuar motin dhe projektuar ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Hensinger e kishte idenë e zhvillimit të një kompjuteri kuantik për herë të parë më shumë se 20 vjet më parë.

Asokohe, njerëzit i thoshin se diçka e tillë ishte “e pamundur”.

“Dhe kur njerëzit më thonë se diçka nuk mund të bëhet, unë thjesht dua ta provoj. Kështu që kam kaluar 20 vitet e fundit duke hequr barrierat një nga një deri në një pikë ku tani mund të ndërtohet një kompjuter praktik kuantik”, ka treguar ai.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore