Kosova

Bildt: Pranimi i propozimit të BE-së nga Kosova, hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve


Carl Bildt.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, ka thënë se është hap i rëndësishëm, pranimi i planit të Bashkimit Evropian nga Qeveria e Kosovës.

Bildt përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Twitter’, ka thënë se kjo lëvizje do të ndikojë që të ecet tutje në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“U desht pak kohë, por tani duket se ka një lëvizje të re në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Hap pas hapi drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Bildt.

Propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë që nuk e ka në qendër njohjen, por rregullon disa aspekte të tjera mes nënshkruesve sipas kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e ka pranuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai e ka bërë vetë të ditur në një shkrim në Twitter pas një takimi pune me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak të hënën.

“Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Kurti.

Kurti shton se ky propozim i duket “bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të lëvizur përpara”.

Bisedën me Lajçakun në një nga lokalet e Prishtinës e quajti “të mirë”.

Kurti prejse është bërë kryeministër ka deklaruar se nuk pranon asnjë marrëveshje që nuk e ka “njohjen reciproke në qendër”, duke nënkuptuar kështu se nuk vë nënshkrim në asnjë dokument ku Serbia nuk pranon Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Kryeministri argumentonte se deri më tani njohja ka qenë në fund të procesit, pra me nënshkrim të marrëveshjeve për çështje të tjera me idenë se në fund nënshkruhet marrëveshja për njohje.

Koncepti i tij i bisedimeve, thoshte Kurti, është i ndryshëm, sepse njohja vendoset në qendër dhe mund të arrihet akord edhe për çështje të tjera më pas, por vetëm duke pasur njohjen si strumbullar.

Në deklarime të mëhershme ai e ka potencuar se propozimi evropian, i njohur më shumë si propozimi franko-gjerman, është bazë e mirë për bisedime, por në këtë status pas takimit me Lajçak-un është hera e parë që e ka shkruar “se e pranojmë propozimin”.

Por, propozimi franko-gjerman nuk e ka njohjen në qendër, madje njohjen formale nuk e ka as në skaje.

Në versionin e fundit të rrjedhur në publik të këtij propozimi që zyrtarisht nuk është prezantuar asnjëherë, nenet as nuk iu referohen Kosovës e Serbisë si shtete, por vetëm si “palë”.

Nga nenet më të rëndësishme të këtij propozimi është neni 2 ku thuhet se “të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”.

Gjashtë kushtet e Kurtit janë zero kushte për themelimin e Asociacionit – një dekonstruktim i thjeshtë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore