Lajme

Kapërcimet e (jashtë)zakonshme të Kurtit


Foto nga Albanian Post

Winston Smith është personazhi kryesor në novelën e famshme të George Orwell, me titull “1984”.

Në fiksonin distopik të Orwell-it, Winstoni punon në Ministrinë e të Vërtetës. Ai aty rishkruan të dhëna historike që i përshtaten pushtetit në versionin që vazhdimisht ndryshon për të kaluarën.

Çfarë saktësisht bën Winston është që u rikthehet shkrimeve në gazetën shtetërore, shikon se cilat prezantojnë huqje të liderit nga e kaluara, i rishkruan për t’i përshtatur për realitetin aktual dhe të vjetrat digjen në furrat që njihen si “vrimat e memories”.

Puna e Winstonit mundëson që lideri të ketë vazhdimisht të drejtë, sepse vazhdimisht korrigjohet historia derisa populli është i detyruar ta pranojë këtë konsistencë fiktive, sepse ajo thuhet në gazetën zyrtare.

Pothuajse 10 vjet aktivitet i Lëvizjes Vetëvendosje shkoi në furrën e “vrimës së memories”, kur databaza e fjalimeve, shkrimeve, takimeve dhe konferencave u zhduk nga faqja zyrtare e partisë në momentin që erdhi në pushtet.

Në një nga këto shkrime të zhdukura tashmë, ekzistonte edhe një fjalim i Albin Kurtit, atëherë opozitar, i cili tregonte se cilat janë llojet e kushteve që pa plotësimin e tyre nuk bën as të takohet ndonjë qeveritar i Kosovës me palën serbe, aq më pak të futet në dialogim.

Vetë dialogu me Serbinë ishte mëkat që s’kapërdihet, sepse Serbia as s’kishte kërkuar falje, as s’kishte kthyer të pagjeturit e vrarë në luftë, as s’kishte paguar dëmet e luftës dhe kishte vjedhur regjistrat nga Kosova.

Fatmirësisht “Winstoni” nuk arriti dot ta editojë videon që qarkullon në internet, ku Kurti artikulon kërkesat që i shtrohen si kushte Serbisë.

“Kushti i parë, Juridik dhe Legal, Serbia ta ndryshojë kushtetutën, ta pranojë pavarësinë e Kosovës; kushti i dytë humanitar dhe moral, të na i kthej të pagjeturit dhe të na kërkojë falje për krimet e kryera; kushti i tretë i drejtësisë, të na i dorëzojnë atë mijëra kriminelë që i kanë bërë vrasjet dhe torturat në Kosovë; kushti i katërt është kushti politik, Serbia duhet të pushojë me shtypjen dhe diskriminimin e shqiptarëve në luginë të Preshevës dhe kushti i pestë, është kushti i zhdëmtimit, shtëpitë e rrënuara dhe shkatërruar, traktorët e plaçkitur, bagëtitë që i kanë vrarë, këto janë miliarda euro, nuk është paguar as një cent… Pa plotësimin e këtyre pesë lloje të kushteve ne nuk kemi pse të takohemi e lërmë të dialogojmë e negociojmë me Serbinë”, thotë Kurti në fjalimin e tij pasionant para qytetarëve.

Tashmë e ditur, në momentin që Kurti u votua kryeministër pranoi të udhëtojë për në Bruksel pa u plotësuar këto kushte. Saktësisht, asnjë nga kushtet e renditura nuk është marrë parasysh.

Mendohej se platforma e diskutimeve me ndërmjetësimin e Brukselit do braktisej po ashtu, sepse Kurti e kishte shpallur si të gabuar dhe që nuk kryen punë, por prapë u vazhdua negocimi në mënyrë identike.

Edhe Marrëveshjet e arritura në Bruksel, për të cilat ishte hedhur gaz në parlamentin e Kosovës u pranuan. Ajo e vitit 2013 dhe e përcjellur në vitin 2015, që pjesë përbërëse kishte edhe Asociacionin, siç kishte edhe inkuadrimin e strukturave paralele në institucione të Kosovës, u pranua po ashtu.

Nga momenti kur Kurti mori postin e kryeministrit të Kosovës dhe Veriun e la të strukturuar sipas Marrëveshjes së vitit 2013 të arritur në Bruksel, pjesë e secilës është edhe Asociacioni dhe nuk e solli në Kuvend për ta zhbërë, automatikisht e kishte pranuar edhe Asociacionin, sepse ishte pjesë e Marrëveshjes, por në publik vazhdonte frazën “Zajednica nuk kalon”.

Se i qëndrojnë prapa marrëveshjes që brenda ka Asociacionin u mor vesh zyrtarisht kur nënshkruan udhërrëfyesin për Elektroseverin me Serbinë. Atë e nënshkruan duke u thirrur pikërisht në Marrëveshjen e vitit 2013, e cila prapë një nga pikat e ka për Energjinë.

Por, këtë 2 shkurt ishte hera e parë që Kurti deklarativisht e tha se e pranon Asociacionin, porse ka gjashtë parakushte për ta bërë.

Kushtet e renditura nga Kurti në parlament janë që Asociacioni të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, të mos jetë mono-etnik, të shuhen strukturat ilegale në Veri, të ketë parim të reciprocitetit që nënkupton Asociacion edhe për komunat me shumicë shqiptare në Serbi, të ketë njohje reciproke dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, të tërheq letrat që u ka dërguar vendeve të Bashkimit Evropian që të mos e njohin Kosovën.

Këto gjashtë kushte, bërë në shpejtësinë e momentit, nuk janë kushte të dëgjuari rishtazi dhe disa prej tyre përbëjnë inflacion fjalish.

Për shembull, kushti i parë për Asociacion brenda Kushtetutës së Kosovës në fakt është kusht qysh kur është nënshkruar marrëveshja për Parimet e Përgjithshme për Asociacionin në vitin 2015.

Pika dy e kësaj marrëveshje thotë se “Në bazë të Marrëveshjes së Parë, e cila njeh karakterin e tij të veçantë, Qeveria e Kosovës do të miratojë një dekret të aplikueshëm drejtpërdrejtë, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”.

Kushti i dytë është i panevojshëm, sepse mbulohet nga i pari. Meqë Asociacioni duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës, rrjedhimisht ai s’mund të jetë mono-etnik.

Sa i përket kushtit të tretë, ai tashmë ka ndodhur prejse ka filluar të aplikohet Marrëveshja e Vitit 2013. Pika 7, 8, 9, 10 dhe 11 flasin pikërisht për shuarjen e strukturave paralele dhe inkuadrimin në sistemin e Kosovës.

Dy kushtet që përbëjnë elemente të reja janë që Asociacioni duhet të replikohet edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe që Asociacioni zbatohet pas njohjes reciproke.

Por, në një intervistë të ndërmjetësuesit Miroslav Lajçak për gazetaren Jeta Xharra, realizuar me 28 qershor të vitit 2022, kur Lajçak pyetet përse flitet për minoritetin serb në Kosovë e jo edhe minoritetin shqiptar në Serbi në dialogun në Bruksel, ai deklaron se pala kosovare asnjëherë nuk e ka sjellë këtë temë në tavolinën e bisedimeve, sepse përndryshe do ta diskutonin.

“Çështja e shqiptarëve të Serbisë nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut. Nëse Kosova dëshiron ta bëjë pjesë të dialogut këtë çështje mund ta propozojnë”, thotë Lajçak, duke shpjeguar që ekipi negociator i Kosovës asnjëherë nuk e propozoi.

Ndërsa kushti që Asociacioni duhet të bëhet vetëm pas njohjes reciproke, është një tjetër kusht që s’është përmendur më herët, por që shkon përkitazi me qëndrimin e Kurtit se Asociacioni duhet të jetë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme të mbështetur në propozimin franko-gjerman.

Se sa do qëndrojnë këto kushte, apo do jenë subjekt i punës së “Winstonit” në të ardhmen, akoma nuk dihet. E kaluara megjithatë, s’parasheh fat ndryshe nga ato pesë llojet e kushteve që s’u realizuan kurrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore