Lajme

Kurti: Nuk shantazhohemi dhe as s’kemi frikë, jemi njerëz të guximshëm


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve AFP, pas presionit në rritje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për të arritur një marrëveshje me Serbinë, tha se do t’i rezistojë çdo përpjekjeje për “shantazh” nga ana e Perëndimit.

Ai tha se njohja e Kosovës nga Serbia do t’i ndihmonte Beogradit të anëtarësohej në BE ndërsa kërkoi që presioni ndërkombëtar të bie mbi presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, duke thënë se Beogradi po kërkon kthim prapa në kohë.

“Pengesa jonë më e madhe është këmbëngulja dhe kërkesa e Beogradit për një makinë kohe. Ata duan të kthehen në kohë dhe kjo nuk është e mundur. Kosova është vend i pavarur dhe do të jetë më mirë që edhe Serbia ta njohë Kosovën”, tha Kurti të mërkurën.

Kurti këmbënguli se barra për normalizimin e marrëdhënieve i takon Serbisë, të cilën ai e quajti një “autokraci” që ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe po vazhdon të destabilizojë Evropën Juglindore, rrjedhimisht Ballkanin Perëndimor.

Në lidhje me insistimin e BE-së dhe SHBA-ve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një mekanizëm që do t’iu jepte serbëve më shumë të drejta dhe garanci, kreu i ekzekutivit tha se nuk mund të shantazhohet e as të frikësohet.

“Ne nuk mund të shantazhohemi. Nuk mund të kemi frikë. Ne jemi njerëz të guximshëm dhe ajo që kërkojmë është trajtim i drejtë, barazi dhe njohje reciproke. Nuk është e drejtë që të bësh presion mbi vendin më pro-evropian, pro-amerikan dhe demokratik në Ballkanin Perëndimor. Presioni duhet të bëhet mbi Beogradin”, u shpreh Kurti.

Ndryshe, Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, të martën e 31 janarit organizoi një diskutim të mbyllur me përfaqësuesit e shoqërisë civile, institucioneve kosovare dhe partitë parlamentare për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në të cilin Kurti personalisht nuk ishte i ftuar.

Ky takim i organizuar në Ambasadë ka ardhur në një kohë kur është intensifikuar kërkesa amerikane për themelimin e Asociacionit si parakusht për vazhdimin e negocimit dhe potencialisht arritjen e një marrëveshje bazuar mbi propozimin franko-gjerman.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore