Lajme

Odesa është shpallur sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s


Qendra historike e qytetit port ukrainas të Odesa-s është caktuar si një sit i rrezikuar i Trashëgimisë Botërore nga agjencia kulturore e Kombeve të Bashkuara/

Kjo, pavarësisht kundërshtimit rus.

Sipas UNESCO-s, vendimi njeh “vlerën e jashtëzakonshme universale” të sitit.

Por Rusia e ka kritikuar masën, duke thënë se ishte “e motivuar politikisht”.

E njohur si perla e Detit të Zi, Odesa është bombarduar disa herë që kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Vitin e kaluar, banorët nxituan të mbrojnë monumentet dhe ndërtesat e qytetit duke i mbuluar me thasë rëre.

Drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay, ka thënë se përcaktimi i qytetit si një vend i Trashëgimisë Botërore ishte një hap i rëndësishëm.

“Fillimisht ishte një aspekt simbolik që është të thuash se ky qytet i përket trashëgimisë botërore, na shqetëson të gjithëve, të gjithë po e shikojmë, të gjithë e shohim dhe njohim historinë e tij dhe kontributin e tij në trashëgimi”, ka thënë ajo.

Dhe se tashmë ky është një aspekt simbolik i rëndësishëm.

Për vendimin, Azoulay ka thënë nënkupton gjithashtu se të gjithë anëtarët e konventës, përfshirë Rusinë, do të kenë detyrimin “të mos sjellin shkatërrim të qëllimshëm” në sitin e Trashëgimisë Botërore.

Po ashtu pjesë të Odesa-s u shtuan në listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, për të cilën UNESCO ka thënë se i jep qytetit akses në asistencë teknike dhe financiare.

Këtë të fundit Ukraina “mund ta kërkojë për të siguruar mbrojtjen e pronës dhe, nëse është e nevojshme, për të ndihmuar në rehabilitimin e saj”.

Sakaq, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e përshëndeti vendimin, duke thënë se ai ishte “mirënjohës ndaj partnerëve që ndihmojnë në mbrojtjen e perlës nga sulmet e pushtuesve rusë”.

Gjithashtu shtatë vende të tjera në Ukrainë janë shtuar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke përfshirë Katedralen e Shën Sofisë në kryeqytetin Kiev dhe qendrën historike të qytetit perëndimor të Lviv-it.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore