Lajme

Lajçak pas darkës me Kurtin e Bislimin: Ramë dakord që të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen plotësisht


I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas darkës me kryeministrin e Kosovës, Ablin Kurtin dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, të mekurën në Prishtinë përmes një cicërime në Twitter ka njoftuar se kanë rënë dakord se të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur në kuadër të dialogut duhet të zbatohen plotësisht.

“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara nga dialogu duhet të zbatohen plotësisht”, ka shkruar Lajçak.

 

 

Edhe marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe është në ndër marrëveshjet që janë arritur në kuadër të dialogut në Bruksel.

Themelimin e këtij mekanizmi po e kërkojnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, gjatë një konference për media, tha se mesazhi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, është që sa më shpejtë të fillojë procesi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne kërkojmë nga palët që të përmbushin përgjegjësitë e tyre. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet të cilat tashmë i kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut duke përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Price.

Më 12 janar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kancelarin e Austrisë, Karl Nehamme në Vjenë, kur është pyetur nga gazetarët nëse do e themeloj Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pati theksuar se kjo çështje mund të adresohet në kuadër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por ka shtuar se Kushtetuta nuk e lejon themelimin e Asociacionit një etnik.

“Megjithatë, sipas Kushtetutës së Kosovës e cila i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga Ahtisari dhe Rohan, në frymën e saj nuk lejon Asociacion një etnik. Fjalia e parë e atij plani thotë që Kosova duhet të jetë shoqëri shumë etnike, asociacionet mono-etnike nuk janë në frymën e atij plani”, kishte thënë Kurti.

Çka parasheh Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Themelimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë. Dy vjet më vonë, të dyja palët janë pajtuar edhe për parimet për themelimin e tij.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin (e vitit 2013) thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore