Kosova

Sigurimi i medikamenteve për pacientët vazhdon të mbetet problem në Kosovë


Ilustrim i pacientëve në QKUK.

Spitalet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), vazhdojnë të kenë problem me sigurimin e medikamenteve për pacientët.

Në muajin qershor Albanian Post, kishte përgatitur një artikull ku sqarohej se Shërbimi Spitalor Klinik Univesitar i Kosovës (SHSKUK), duhet të furnizoj spitalet.

Të paktën kështu thuhej në përgjigjen e ministrisë së Shëndetësisë.

“Për informacionin tuaj, MSH-ja furnizon QKMF-të dhe programet speciale si vaksinimi, skleroza multiple etj, kurse SHSKUK-ja furnizon QKUK-në dhe spitalet e përgjithshme”, thuhej në përgjigjen e MSH-së.

Mirëpo, këtë problem e ka rritur edhe më shumë moszgjidhja e lëndëve nga Organi i Shqyrtimit të Prokurimit.

Qendra Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), në një përgjigje për Albanian Post, kishte sqaruar se mungesa e disa artikujve vjen edhe për këtë arsye.

“Shumica e barnave të listës esenciale janë të kontraktuara. Furnizimi në përgjithësi është i qëndrueshëm. Mungesa mund të ketë për disa artikuj nga lista esenciale të cilët janë duke u trajtuar në OSHP dhe këto lëndë nuk janë të zgjidhura që një kohë të gjatë”.

Sigurimi i medikamenteve ndaj pacientëve, “obligim ligjor”

Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës kishte thënë për Albanian Post se sigurimi i medikamenteve ndaj pacientëve është obligim ligjor.

“MSH në vitin 2019 ka miratuar listën e barnave esenciale dhe materialit shpenzues që mbulohet nga shteti, të gjitha ato barna dhe materiale që gjenden në atë listë duhet shteti t’i blej”.

“Nëse ndonjë bar është jashtë asaj liste, atëherë nënkuptohet se pacienti duhet ta blej vetë”.

Sipas tij, ky problem qëndron dikund tjetër.

“Problemi qëndron në praktikë, që institucionet nuk ofrojnë shërbimet e parapara e as nuk kanë barna esenciale”.

Ndryshe, që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind. Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore