Lajme

QKUK detyron pacientët të paguajnë edhe për fasha, faji humbet nëpër labirintin burokratik


Ilustrim i pacientëve në QKUK.

Përveç pritjes së gjatë për operim të bashkëshortes së tij, Halil Kolmekshaj nga Gjakova u përball me një problem krejtësisht të papritur në Qendren Klinike Universitare të Kosovës.

“Ka qenë e martë kur gruan time e operuan, pasi doli i dhanë një infuzion dhe pasi e shkruan terapinë për të shkuar në shtëpi kur dola për të shkuar me gruan nga Klinika e Kirurgjisë, një motër më kapi në krah me tha: ‘ku je duke shkuar?’ I thash ‘në shtëpi’, më tha ‘jo ma jep fletudhëzimin se nuk bën me shku t’i pa i ble këto dy fasha (medikamente) që i kemi përdorur për gruan tënde në operim’”, thotë Kolmekshaj për AP.

Kërkesa e tyre ishte që fashat të ishin të njëjtit lloj siç i kanë përdorur për shërim.

“E pyeta ku ‘ka mi ble?’ Ato më thanë është një vend tek Bororamizi vetëm atje ka, shkova atje i mora ato, kur erdha më thanë ‘jo këto janë të tjera, a mund të na sjellni adekuate siç i kemi përdorur për operimin e bashkëshortes tuaj’”.

Klinika e Kirurgjisë në QKUK.

Ndërsa argumenti i tyre për këtë kërkesë ishte se, “na nuk kemi edhe duhet t’i kemi, sepse vjen dikush tjetër të operohet”.

Ministria e Shëndetësisë: SHSKUK-ja furnizon spitalet e përgjithshme

A duhet pacientet të paguajnë për materiale që shpenzohen gjatë trajtimit të tyre?

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Albanian Post se spitalet furnizohen nga SHSKUK-ja.

“Për informacionin tuaj, MSH-ja furnizon QKMF-të dhe programet speciale si vaksinimi, skleroza multiple etj, kurse SHSKUK-ja furnizon QKUK-në dhe spitalet e përgjithshme”.

Ministria e Shëndetësisë.

Të pyetur edhe për deklaratën e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Shemsedin Dreshaj që “QKUK-ja ku punoj unë nuk i ka as medikamentet e nevojshme”.

Nga MSH-ja e kanë konsideruar si deklaratë të pakuptim.

“Përndryshe, nëse dikush thotë mungon diçka dhe nuk është në gjendje ta thotë konkretisht çka mungon dhe në përgjegjësi të kujt është furnizimi, është krejt e pakuptueshme”.

SHSKUK: Ka lëndë që nuk janë zgjidhur që një kohë të gjatë nga OSHP-ja

Albanian Post ka drejtuar pyetje edhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Nga SHSKUK-ja, kanë thënë se përgjegjës për këtë çështje është Shërbimi Farmaceutik në QKUK.

Nga ky shërbim për AP kanë deklaruar se ka lënda të cilat nuk janë zgjidhur që një kohë të gjatë nga Organi i Shqyrtimit të Prokurimit.

“Shumica e barnave të listës esenciale janë të kontraktuara. Furnizimi në përgjithësi është i qëndrueshëm. Mungesa mund të ketë për disa artikuj nga lista esenciale të cilët janë duke u trajtuar në OSHP dhe këto lëndë nuk janë të zgjidhura që një kohë të gjatë”.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

“Po ashtu, mungesa mund të ketë për shkak të vonesave në liferim nga ana e operatorëve ekonomikë”, është thënë në përgjigjen e Shërbimit Farmaceutik në QKUK”.

Albanian Post, ka dërguar pyetje edhe në Organin e Shqyrtimit të Prokurorim por që deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Sigurimi i medikamenteve ndaj pacientëve, “obligim ligjor”

Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës sqaron për Albanian Post se sigurimi i medikamenteve ndaj pacientëve është obligim ligjor.

“MSH në vitin 2019 ka miratuar listën e barnave esenciale dhe materialit shpenzues që mbulohet nga shteti, të gjitha ato barna dhe materiale që gjenden në atë listë duhet shteti t’i blej”.

“Nëse ndonjë bar është jashtë asaj liste, atëherë nënkuptohet se pacienti duhet ta blej vetë”.

“Problemi qëndron në praktikë, që institucionet nuk ofrojnë shërbimet e parapara e as nuk kanë barna esenciale”.

Ndryshe, që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind. Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.

Me 10 nëntor, pas raportimit për mungesë masive të ilaçeve të shtrenjta kundër kancerit, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës kishte ndarë 2.5 milionë euro shtesë për blerjen e barnave esenciale.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte deklaruar se “qeveria e sheh shqetësuese mungesën e vazhdueshme të barnave, ndërsa në total janë ndarë nga kjo qeveri rreth 30 milionë euro”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore