Kosova

Vrasja e gruas shtatzënë, Bunjaku s’tregon nëse do shkarkohet dikush nga QKUK-ja


U.D ministrja e shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbajtur sërish një takim tjetër me grupin ndërministror për rastin e vrasjes së H.G nga bashkëshorti i saj, Sokol Halili më 30 nëntor.

Ky takim edhe pse është mbajtur me dyer të mbyllura dhe mediat nuk janë lejuar, u.d e ministres së Shëndetësisë Dafina Gexha-Bunjaku pas përfundimit të takimit u pyet nga gazetarët për shkarkimet që do të bëhen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) lidhur me këtë rast.

Gexha-Bunjaku refuzoi të përgjigjet nëse do të ketë ndonjë shkarkim dhe refuzoi të jap detaje.

“Jemi në pritje të çdo raporti inspektoratit dhe hetuesisë. Për çdo informatë do të merrni nga ministrja e Drejtësisë”, tha ajo për gazetarët.

E pyetur se a ndjehet përgjegjëse lidhur me këtë rast, ajo sërish nuk është përgjigjur.

“Ju lutem prisni të gjitha raportet të cilat analizohen nga organet e hetuesisë”.

Në këtë takim takim përveç u.d ministres së Shëndetësisë, kanë marrë pjesë edhe nga Zyra e Kryeministrit.

Ministria e Drejtësisë, së bashku me institucionet e tjera ishte thënë se do të shqyrtojnë raportet e tjera inspektuese, për të parë nëse ka pasur shkelje në trajtimin e rastit të 35-vjeçares, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj në oborrin e QKUK-së.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Siç jeni të njoftuar, ministritë përgjegjëse  kanë ndërmarrë veprime inspektimi përmes trupave inspektuese në lidhje me rastin e Hamide Magashit. Në lidhje me raportet e përfunduara të inspektimit, Ministrja e Drejtësisë ka ftuar mbledhjen e grupit ndërministror, të hënën, datë 19 Dhjetor 2022”, kanë thënë nga Ministria.

Ndërkaq, ashtu siç kishte raportuar Albanian Post para 11 muajsh, Ligji për Mbikqyrje elektronike të dhunuesve nuk u implementua kurrë për arsye që nuk i di askush dhe mbeti në sirtar të Ministrisë së Drejtësisë.

Por, Haxhiu thotë se tani kanë marrë dritën jeshile nga Ministria e Financave dhe se zbatimi i së njëjtës është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Së pari është bërë një studim në raport me kosoton që ka zbatimi i këtij ligji dhe është përmbyll studimi dhe tani së fundmi ne e kemi adresuar edhe si Grup Ndërministror dhe tani kemi marrë miratimin nga Ministria e Financave për zbatimin e këtij ligji”.

“Ka mundur të bëhet para disa kohësh por duhet të kemi parasysh se asnjë Qeveri asnjëherë nuk e ka pas vëmendjen jo vetëm për zbatimin e Ligjit për Mbikqyrjen elektronike por nuk mbaj mend Ministër të Drejtësisë i cili ka bërë ndonjë ndonjë adresim për luftimin e këtij fenomeni”, shtoi ajo.

Vrasja e gruas shtatzënë brenda QKUK-së

Më 30 nëntor, një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Vrasja e Hamide Magashit nga ish-bashkëshorti i saj Sokol Halili, tronditi shoqërinë kosovare dhe nxiti një thirrje urgjente për veprime më të ashpra kundër atyre që kryejnë dhunë ndaj grave dhe vajzave.

Ngjarja makabre – një javë nga vrasja tjetër e një guraje nga burri i saj në Prishtinë – ndodhi rreth orës 18:00, në oborrin e Spitalit të Gjinekologjisë.

Gjykata Themelore e Ferizajt, kishte bërë të ditur se viktima ka pasur urdhër-mbrojtje që nga 8 shtatori 2022.

Ndërkaq, vrasësi ishte në arrati që nga e mërkura e 30 dhjetorit, Polica kishte kërkuar bashkëpunim edhe nga qytetarët për gjetjen e tij derisa u bë e ditur se Halili e kishte vrarë veten pasi nuk pranoi të dorëzohej.

Kosova është vetëm një nga vendet e shumta që po përballet me dhunën ndaj grave, atë që Kombet e Bashkuara e kanë quajtur “pandemi globale nën hije”.

Për ligjin që do shpëtonte jetë ka edhe kapacitete edhe buxhet – por, qeveria s’e trajtoi me prioritet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore