Gatimi

Brioshët, si t’i përgatisim bashkë me fëmijët


Nëse provoni të bëni një herë të vetme briosh, në shtëpi, do të përfundoni duke i përsëritur gjithmonë! Jo vetëm prej shijes por edhe prej aromës që merr gjithë vendi! Fëmijët do t’i pëlqejnë shumë!

Përbërësit për afro 16 copë:  280g miell, 25g maja birrë e freskët në kubikë, 1 vezë + qumësht të jenë të dyja 150ml (në një enë të milimetruar që mat lëngjet, hedhim në fillim vezën dhe më pas shtojmë qumësht derisa të kemi 150 ml),  1/2 lugë kafeje kripë, 60g gjalpë shumë i butë,  50g sheqer , Nutella ose reçel etj.

Na duhet gjithashtu për t’i lyer sipër: 1 verdhë veze e përzier me 2 lugë qumësht.

Përgatitja:

Në fillim, përziejmë të gjithë përbërësit e mësipërm. Përveç gjalpit që duhet ta zbusim në një tas të madh me lugë në fillim dhe më pas me dorë. Më pas e shtojmë pjesë-pjesë dhe vazhdojmë t’i përziejmë akoma derisa gjalpi të jetë përzier mirë me brumin.

E vëmë në një tas të spërkatur me miell, e mbulojmë me plastmasë kuzhine dhe e lëmë derisa të dyfishojë vëllimin e tij (afërsisht 1 orë).

Pasi të shohim se brumi është gati, e ndajmë në dy topa dhe hapim secilin me pak miell. I japim formë të rrumbullakët, e ndajmë më pas në 8 trekëndësha me thikë. Në secilin trekëndësh vëmë pak Nutella dhe i mbështjellim si role. Këto të fundit i radhisim në tavë me letër furre, i mbulojmë me pecetë dhe i lëmë të fryhen edhe për një orë tjetër.

Pas kësaj kohe i lyejmë sipër me të verdhën e vezës të rrahur me qumësht me anë të një furçe kuzhine. Në përfundim, i pjekim në furrën e ngrohur më parë me 180 gradë C për 20 minuta ose derisa të shohim që të kenë marrë ngjyrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore