Shqipëria

“Begaj na habiti, s’pranoi të takohet në selinë tonë”, zëdhënësja e LDK-së për Albanian Post


Bajram Begaj

Lajmet për mos-pranimin e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, që të shkojë në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka vërtetuar, zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, në një përgjigje për Albanian Post.

Halimi ka konfirmuar se është e vërtetë që Begaj nuk pranoi të shkojë në selinë e partisë së tyre, ndryshe nga liderët e tjerë të Shqipërisë që e kanë vizituar Kosovën.

“Për dallim nga krerët institucionalë paraprakë të Shqipërisë, Presidentët e shkuar, Kryeministrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprakë, Presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qendrore të saj”, thuhet në përgjigjen e Halimit.

Sibel Halimi

Ajo shton se veprimi i Begajt i ka habitur.

“Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë”.

Halimi në fund të përgjigjes së saj shton se “LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar – siç ka qenë përherë”.

Begaj homazhe te varri i Rugoves

Mos-pranimi i Begajt vjen krejtësisht i pakuptueshëm meqë ai në fjalimin e tij ka vlerësuar lartë liderin historik të LDK-së, Ibrahim Rugovën.

Për më tepër, Begaj ka bërë edhe homazhe te varri i ish-presidentit Rugova.

Begaj, në vizitën e tij të parë jashtë vendit dhe të parën si president i Shqipërisë në Kosovë, është takuar fillimisht me homologen, Vjosa Osmani, më pas me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca dhe në fund me kryeministrin, Albin Kurti.

Presidenca shqiptare, në njoftimet për vizitën në Shqipëri, nuk ka përmendur këtë ndodhi të Begajt. Dhe as nuk është dhënë një shpjegim për refuzimin.

“Dy republika dhe një komb, harta jonë me destinacion Brukselin”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore