Kosova

Klinaku demanton mediat që raportuan se “OVL-UÇK do të ketë protestë të martën”


Protesta e OVL-UÇK-së në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka reaguar ndaj raportimeve që të martën e 14 qershorit do të ketë protestë nga OVL-UÇK.

Ai përmes një shkrimi në ‘Facebook’, ka demantuar mediat dhe ka kërkuar që të mos keqinterpretohet situata.

“Të nderuara media, mos e keqinterpretoni statusin e mëhershëm, sepse nesër nuk ka protestë”, ka shkruar Klinaku.

Tutje, ai ka rikujtuar statusin që kishte publikuar.

“Statusi ishte ky: Nesër do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, dhe si pikë është përsëri miratimi i projektligjit për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit ky pushtet po do që t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale”.

Ai ka sqaruar arsyejen se pse nuk do të organizohet protesta, mirëpo ka bërë thirrje ndaj anëtarëve të OVL-UÇK që të qëndrojnë të gatshëm për çdo veprim.

“Nuk mund të organizojmë protestë për nesër, sepse është kohë e shkurtër. Ju duhet që të jeni në kontakt me degët tona në mënyrë që kur ju thërrasim të dilni sa më masovikisht. Nëse ky pushtet e ndryshon ligjin, ne ju thërrasim për protestë ku do të qëndrojmë aty deri në realizimin e të drejtave tona”.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku

Klinaku, mesazh drejtoi edhe ndaj deputetëve të pozitës dhe opozitës.

“Mos e miratoni ligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës, sepse do t’i bartni pasojat edhe ju sikur qeveria. Dyfytyrësia e Glauk Konjufcës!”

Duke thënë se, “në njërën anë futet në rend dite projektligji kundër veteranëve, e në anën tjetër shkon t’i vizitojë veteranët që gjenden në paraburgim në Hagë”.

Protesta e 6 qershorit e veteranëve të UÇK-së nisi në Sheshin “Skënderbeu” e përfundoi para dyerve të Kuvendit.

Në një moment, protesta edhe eskaloi dhe policia zyrtarisht njoftoi se dy pjesëtarë të kordonit, që po ruanin hyrjen te Kuvendi, kanë pësuar lëndime.

Veteranët, gjatë protestës, thanë se ndihen të indinjuar që qeveria nuk i ka përfshirë në ligjin e ri të pagave, si kategori e veçantë e përcaktuar me ligj, për t’ua mundësuar rritjen e pensionit që marrin, njëjtë si të gjitha kategorive të tjera.

Numër i madh i forcave të Njësive Speciale të Kosovës u panë para hyrjes së Kuvendit dhe në afërsi pati edhe autoblinda e topat e ujit, që rrinin në gjendje gatishmërie.

Por, ishin deputetët e opozitës, të cilët u kërkuan të mos dëmtonin asgjë në objekt e as afër tij, e as të mos përlesheshin me policinë, sepse, “prekin në gjak dëshmori”.

Veteranët qëndruan në oborr, derisa u mbyll seanca e Kuvendit dhe duke dalë pastruan vendin, ku zhvilluan protestën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore