Lajme

Protesta e veteranëve: Policia mobiliziohet me topa uji dhe autoblinda


Autoblindat e policisë bashkë me një top uji, janë parkuar në afërsi të objektit të Kuvendit të Kosovës.

Bashkë me ta është shtuar edhe numri i zyrtarëve policor të Njësisë Speciale të Reagimit të Shpejtë (NJRSH).

Këta, po rrinë në gjendje gatishmërie, për të intervenuar në protestën e Veteranëve të luftës së UÇK-së, e cila ka filluar nga ora 10:00 dhe po vazhdon akoma, para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës është rrethuar nga forcat e shtuara të Policisë, ndërsa në oborrin e tij kanë hyrë protestuesit, të cilët kanë dalë me ftesë të organizatave të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata po protestojnë pasi ndihen të diskriminuar nga mospërfshirja në ligjin për pagën minimale.

Një pjesë e trupave të policëve janë vendosur para dyerve të objektit të Kuvendit, por të mos i lënë protestuesit të hyjnë brenda.

“Rrini të qetë”, ishte kërkesa e Faton Klinakut, ushtruesit të detyrës së Kryetarit të OVL-UVK-së, drejtuar veteranëve të cilët po protestojnë para Kuvendit të Kosovës duke kërkuar të përfshihen në projektligjin e ri të pagave, ose tërheqje e projektligjit kështu sic është, pa ta.

“Të nderuar veteranë, rrini të qetë ne jemi duke ndej këtu. Po presim që të dështoj seanca për ta tërhequr ligjin që të mos e ndryshojnë”.

”Nga opozita na kanë premtuar që do ta pengojnë seancën edhe brenda dhe nuk do të lejojnë që ta bëjnë ndryshimin”, u është drejtuar Klinaku veteranëve protestues para kuvendit.

“Me policinë nuk keni nevojë me bë probleme, rrini qetë ashtu siç kemi qenë gjithmonë dinjitetshëm. Ne po presim edhe pak sepse nuk po munden me mbajt seancën sepse ka mungesë kuorumi. Kërkoj që të qëndroni këtu deri sa ata ta tërheqin ligjin të mos e ndryshojnë”, tha Klinaku.

 

Faton Klinaku, U.D i Kryetarit te OVL-se

Çka çoi në protesta?

Kryeministri Albin Kurti

Pensionet e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë 170 euro. Kjo shumë do të mbetet po kaq edhe kur Qeveria e Kosovës të rrisë pragun e pagës minimale në mbi 250 euro siç është paralajmëruar.

Rrjedhimisht, pensioni i ish-luftëtarëve në Kosovë nuk barazon as pagën minimale në vend, prandaj Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po organizon protesta në Prishtinë.

Të mbeten në këtë shifër si pension mujor, nga OVL është konsideruar si “diskriminim që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për emisionin Desku, pat deklaruar se veteranët nuk e meritojnë pagën minimale.

“E meritojnë shpërblimin për kontributin, por jo pagën minimale. Paga minimale merret prej punës. Paga minimale nuk është dekoratë”, pat thënë kryeministri.

Përveçse veteranët janë lënë nën pagën minimale, kryeministri ka deklaruar se ka problem edhe me numrin aktual.

Janë zyrtarisht rreth 60 mijë veteranë të luftës, por Kurti refuzon ta pranojë këtë numër.

Për të janë më pak, shumë më pak, trefish më pak.

“Duhet t’i bëjmë evidencat e sakta. Nuk janë 60 mijë veteranë. Nuk janë. Nëse dikush dëshiron ta gënjejë vetveten, nuk mund të më gënjejë mua”, thoshte Kurti.

Për kryeministrin, në rastin më të mirë, “janë 20 mijë veteranë”.

Ai pati shtuar se duhet të gjenden mënyra se si të luftohen këto deformime.

Por, Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate, ish-bashkëpartiak i Kurtit dhe përkrahës i kërkesës së veteranëve, ka deklaruar se kryeministri nuk e ka me shifrën e parave, por me vetë veteranët.

“Veteranët don t’i lë edhe nën pagën minimale. Sepse nuk i do. Sepse kurrë s’e deshi luftën e tyre”, ka shkruar Molliqaj në Facebook, ku edhe ka treguar se “nesër do të protestoj bashkë me veteranët e UÇK-së që shteti i braktisi”.

Përndryshe, vetë kryeministri Kurti është i shpallur veteran i luftës së UÇK-së.

Debat i madh ishte bërë për këtë shpallje të tij si veteran, meqë Kurti nuk kishte qenë asnjëherë në vijën e frontit, por ata që e mbështetën në aludimin se ka qenë pjesë e luftës, argumentonin se ai konsiderohet veteran pasi ka shërbyer në zyrën e UÇK-së në Prishtinë, e cila udhëhiqej nga veprimtari Adem Demaçi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore