Lajme

Përfundon protesta, s’ka kuorum për Ligjin, shpërndahen veteranët


Protesta e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është shpallur e mbyllur, pasi në Kuvendin e Kosovës nuk është votuar Ligji për Paga që, sipas veteranëve i diskriminon ata, duke i lënë si kategorinë vetme me pensione nen pagën minimale.


Veteranët futen në oborrin e Kuvendit, konfrontohen me policinë

Pjesëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës janë futur në oborrin e Kuvendit të Kosovës, duke protestuar kundër vendimit të Qeverisë për t’i lënë jashtë ligjit për pagën minimale, që nënkupton se pensionet e tyre do të mbesin në shifrën e 170 eurove.

Protestuesit kanë dashur të futen në sallën e Kuvendit, aty ku pritej të votojnë deputetët.

Ka pasur edhe ballafaqim me kordonin e policisë që po qëndrojnë para dyerve të Kuvendit.

Janë hedhur edhe gjësende të forta.

U hodh edhe gaz lotsjellës, por policia ka mohuar ta kenë hedhur ata, gjithashtu veteranët deklaruan se nuk u hodh prej tyre.

Protestuesit në oborrin e Kuvendit

Veteranët të revoltuar me Qeverinë – “na detyruat të dalim në rrugë, po na mohoni luftën dhe po na i shkelni të drejtat”

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thanë se nuk do të donin, por u detyruan të dalin në rrugë për shkak të diskriminimit që po u bëhet nga Qeveria.

Kështu është shprehur Ushtruesi i Detyrës së kryetarit i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, derisa ka mbajtur fjalimin, në mes të veteranëve të revoltuar që janë mbledhur para Kuvendit të Kosovës, për t’ua bërë me dije deputetëve se nuk duhet ta votojnë ligjin për pagën minimale të propozuar nga Qeveria, i cili i lë ata jashtë kësaj skeme.

Veteranët aktualisht marrin nga 170 euro, derisa është propozuar që paga minimale të bëhet mbi 250 euro, por kryeministri aktual, Albin Kurti, ka thënë që veteranët nuk e meritojnë pagën minimale, kështu që ata nuk do të jenë të përfshirë në këtë rritje.

“Tentimet për mohimin e kontributit tonë nga institucionet e Kosovës nuk do të kenë sukses”, ka deklaruar Klinaku në megafon.

“Fatkeqësisht duhet të protestojmë për të mbrojtur vlerën që na solli deri këtu. Neve na duhet të protestojmë, sepse na mohohet lufta që e bëmë, na shkelen të drejtat”, vazhdoi ai.

Faton Klinaku, U.D i Kryetarit te OVL-se

Klinaku ka treguar edhe se kanë pasur takim me qeverinë, por pa sukses. Kërkesa e tyre s’u dëgjua.

“Kishim takim dhe i kemi shprehur shqetësimet tona, por në momentet e fundit nga ana e qeverisë është sakatuar ligji. Jemi injoruar nga institucionet dhe u detyruan që pakënaqësitë tona t’i shprehim në rrugë, do të vazhdojmë me protesta”.

Veteranët tash sytë i kanë kah deputetët e Kosovës që propozimin e qeverisë me anë të votës mund ta shndërrojnë në ligj.

“Kemi shpresën se nuk miratohet ligji në Kuvend, sepse ju kemi drejtuar deputetëve. Deputetët e zgjedhur të popullit duhet t’u shërbejnë interesave të atyre që i sollën aty dhe jo politikës ditore”, deklaroi Klinaku.

Çka çoi në protesta?

Kryeministri Albin Kurti

Pensionet e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë 170 euro. Kjo shumë do të mbetet po kaq edhe kur Qeveria e Kosovës të rrisë pragun e pagës minimale në mbi 250 euro siç është paralajmëruar.

Rrjedhimisht, pensioni i ish-luftëtarëve në Kosovë nuk barazon as pagën minimale në vend, prandaj Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po organizon protesta në Prishtinë.

Të mbeten në këtë shifër si pension mujor, nga OVL është konsideruar si “diskriminim që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për emisionin Desku, pat deklaruar se veteranët nuk e meritojnë pagën minimale.

“E meritojnë shpërblimin për kontributin, por jo pagën minimale. Paga minimale merret prej punës. Paga minimale nuk është dekoratë”, pat thënë kryeministri.

Përveçse veteranët janë lënë nën pagën minimale, kryeministri ka deklaruar se ka problem edhe me numrin aktual.

Janë zyrtarisht rreth 60 mijë veteranë të luftës, por Kurti refuzon ta pranojë këtë numër.

Për të janë më pak, shumë më pak, trefish më pak.

“Duhet t’i bëjmë evidencat e sakta. Nuk janë 60 mijë veteranë. Nuk janë. Nëse dikush dëshiron ta gënjejë vetveten, nuk mund të më gënjejë mua”, thoshte Kurti.

Për kryeministrin, në rastin më të mirë, “janë 20 mijë veteranë”.

Ai pati shtuar se duhet të gjenden mënyra se si të luftohen këto deformime.

Por, Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate, ish-bashkëpartiak i Kurtit dhe përkrahës i kërkesës së veteranëve, ka deklaruar se kryeministri nuk e ka me shifrën e parave, por me vetë veteranët.

“Veteranët don t’i lë edhe nën pagën minimale. Sepse nuk i do. Sepse kurrë s’e deshi luftën e tyre”, ka shkruar Molliqaj në Facebook, ku edhe ka treguar se “nesër do të protestoj bashkë me veteranët e UÇK-së që shteti i braktisi”.

Përndryshe, vetë kryeministri Kurti është i shpallur veteran i luftës së UÇK-së.

Debat i madh ishte bërë për këtë shpallje të tij si veteran, meqë Kurti nuk kishte qenë asnjëherë në vijën e frontit, por ata që e mbështetën në aludimin se ka qenë pjesë e luftës, argumentonin se ai konsiderohet veteran pasi ka shërbyer në zyrën e UÇK-së në Prishtinë, e cila udhëhiqej nga veprimtari Adem Demaçi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore