Shqipëria

Rama: Von der Leyen, avokate e integrimit në rajon


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga konferenca e përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, e ka cilësuar këtë të fundit si “avokate e integrimit në rajon”.

Po ashtu, në qendër të konferencës ka qenë mbështetja e dhënë nga von der Leyen, për procesin e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit, si dhe integrimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE).

“Dua të theksoj faktin se kjo nuk është një vizitë protokollare e një presidenteje e një institucioni, por është vizita e një gruaje, e cila është angazhuar me gjithë zemër edhe energji për ta vënë të gjithë kapacitetin e detyrës që mbulon në mbështetje të atyre fëmijëve që dolën të goditur nga tërmeti”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri bëri me dije se ka folur me presidenten për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian (BE).

“KE jep rekomandimin pozitiv për çelje të negociatave, ka disa vite, por komisioni është dhe i parashikueshëm, sepse bazohet në fakte, raportime”, deklaroi Rama.

Më herët, presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, sipas agjendës zyrtare, ka vizituar ambientet e shkollës “Korb Muça”, në Qerek të Krujës.

Kjo shkollë është rindërtuar përmes programit të Bashkimit Evropian “BE për shkollat”, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Ajo u shoqërua nga zëvendës-kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, i cili më herët mbante postin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë takimit në ambientet e shkollës “Korb Muça” në Krujë

Ursula von der Leyen do të zhvillojë një tur treditor në Ballkanin Perëndimor. Ajo i ka nisur vizitat nga Shqipëria, mëngjesin e 28 shtatorit.

Presidentja e KE-së u prit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një ceremoni zyrtare te Pallati i Brigadave në kryeqytet.

Menjëherë pas takimit me Ramën, presidentja e KE-së, nëpërmjet një reagimi në Twitter, shkroi se e ardhmja e Shqipërisë është brenda BE-së.

Sipas saj, me përparimin që Shqipëria ka bërë me reformën në drejtësi, i ka plotësuar detyrat e saj.

“Tani BE -ja duhet të bëjë të njëjtën gjë”, shkruante ajo.

Më herët, nëpërmjet një statusi në Twitter, von der Leyen, deklaroi se mesazhi i vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor është i qartë: “Ne ndajmë një të ardhme të përbashkët evropiane”.

“Duke kapërcyer COVID, së bashku. Duke investuar në mënyrë strategjike. Duke u dhënë mundësi të rinjve tanë”, thekson presidentja në Twitter.

Rreth orës 10:00, ajo zhvilloi takim edhe me presidentin e Republikës, Ilir Meta.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Pas konferencës për mediat, mësohet se ajo do të niset drejt Maqedonisë së Veriut.

Një ditë më pas, von der Leyen do të vizitojë Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë.

Turi i saj i vizitave në Ballkanin Perëndimor do të përmbyllet më 30 shtator, në Bosnjë Hercegovinë.

Momente nga takimi i von der Leyen me kryeministrin Edi Rama
Perspektiva evropiane

Von der Leyen, në takimet që do të zhvillojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, pritet të rikonfirmojë perspektivën evropiane të këtyre shteteve, si dhe vetë angazhimin e BE-së ndaj tyre.

Vizita e presidentes së KE-së në rajon vjen një javë përpara Samitit të përbashkët midis BE-së dhe gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor. Ai do të mbahet në Brdo.

Vetë von der Leyen ka theksuar, gjatë fjalimit të saj të përvitshëm për bilancin e punës së bërë nga Këshilli, se ka një rëndësi shumë të madhe që BE-ja të tregojë atashimin që ka karshi rajonit të Ballkanit.

Në Samit, ndërkaq, do të lindë edhe mundësia për të rikonfirmuar qasjen evropiane ndaj zgjerimit.

Po ashtu, edhe një perspektivë e re për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Implementimi i planit ekonomik të investimeve do të jetë po ashtu në qendër të vëmendjes së Samitit.

Kjo vizitë e presidentes së KE-së u zhvillua fill pas asaj të ish-kancelares gjermane, Angela Merkelmë 14 shtator në Shqipëri.

Merkel dha një mesazh të fortë përpara largimit të saj. Ajo ia bëri të qartë unionit se tashmë nuk duhet të ketë më kushte të tjera për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore