Euro 2020

Ambasada e Zvicrës ka një falënderim të veçantë për Kosovën


Xhaka duke festuar fitoren e Zvicrës ndaj Francës

Ambasada e Zvicrës në Kosovë, përmes një postimi në facebook, ka falënderuar Kosovën pas asaj fitoreje dramatike në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Francës.

Zvicra u kualifikua në çerekfinale të Kampionatit Evropian, për herë të parë në historinë e saj.

Në këtë ndeshje, futbollisti kosovar, Granit Xhaka, kishte një paraqitje fantastike, pas të cilës, u shpërblye me çmimin “Lojtari i ndeshjes”, për të cilin Ambasada zvicerane ka një falënderim për Kosovën.

“UEFA e shpërblen Granit Xhakën me çmimin lojtari i ndeshjes. Faleminderit Kosovë për përkrahjen”, shkruhet në postimin e Ambasadës zvicerane.

Në këtë ndeshje, Zvicra fitoi vetëm pas ekzekutimit të penalltive, pasi që koha e rregullt përfundoi me rezultat 3:3.

Zvicra kishte epërsi minimale në pjesën e parë, por në të dytën Franca shënoi dy gola të shpejtë me Karim Benzema, dhe më pas Pogba u duk se mbylli sfidën duke realizuar golin e tretë për Francën.

Por zviceranët nuk u dorëzun dhe në 10 minutat e fundit të ndeshjes aritën të barazojnë rezultatin në 3:3.

Vazhdimet nuk prodhuan gola, dhe ndeshja shkoi në ekzekutimin e penalltive, prej të cilave, Zvicra fitoi ndeshjen me shifrat 5:4.

Titullarë në këtë ndeshje luajtën futbollistët me prejardhje nga Kosova, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, e në minutën e 87-të u inkuadrua edhe Admir Mehmedi, i cili ishte një nga futbollistët që shënoi nga penalltia.

Ndeshjen e radhës, Zvicra do të takohet me Spanjën në çerekfinale të “Euro 2020”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore