Lajme

Tri organizata mjedisore: Kurti po qëndron i heshtur karshi shkeljeve të Aliut – po injorohemi nga kryeministri


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Mjedisit Liburn Aliu.

Tri organizata mjedisore “Pishtarët”, “Gjethi” dhe “EcoZ”, kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të reagojnë ndaj ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu, për aprovimin që bërë ndaj Udhëzimit Administrativ për Leje Mjedisore, që sipas tyre ka përjashtuar pjesëmarrjen qytetare nga vendimet që i prekin drejtpërdrejt ata.

Këto organizata kanë theksuar se me këtë miratim i është dhënë vetes dhe operatorëve privatë autoritet i plotë që të vendosin për shfrytëzim resurset natyrore.

“Në vitin 2022, kemi kërkuar zyrtarisht anulimin e tij edhe nga Zyra e Kryeministrit e cila ka bërë analizën nga zyra ligjore ku ka udhëzuar Ministrinë e Mjedisit që të bëjë plotësimin për të përfshirë pjesëmarrjen publike. Por Ministri Aliu injoroi edhe udhëzimet e Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në komunikatë.

“Ka kaluar një muaj që 50 organizata të shoqërisë civile në Kosovë po injorohen edhe nga KM Kurti i cili po vazhdon të mbetet i heshtur për çështjen në fjalë”.

Ndërkaq, organizatat kanë kritikuar heshtjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj thirrjeve që po kanë këto organizata.

“Me përkrahjen e 50 organizatave të shoqërisë civile në Kosovë dhe organizatës së mbrojtjes së lumenjve në Austri, Riverëatch iu kemi drejtuar me letër të hapur edhe Kryeministrit të vendit, z. Albin Kurti, me kërkesë të qartë: Anulimin e menjëhershëm të Udhëzimit Administrativ për Leje Mjedisore dhe sigurimin e plotësimit të tij menjëherë, sipas Kushtetutës dhe Direktivave të BE-së, për pjesëmarrje publike në procedurat e dhënies së lejeve mjedisore”.

Për ta është e padrejtë të lejohet të vazhdojë që Aliu të jetë i vetmi autoritet që vendos për shfrytëzimin e resurseve natyrore.

“Ministri Aliu nuk duhet të lejohet të vazhdoj të jetë i vetmi autoritet të vendos për shfrytëzimin e resurseve natyrore nga te cilat varet jetesa jonë por edhe për faktin se toka dhe uji i Kosovës janë pasuri e përbashkët e jona që i kemi mbrojtur me shekuj me gjak dhe sakrifica të dhimbshme”.

Sipas të njëjtave organizatave, ministri Liburn Aliu është takuar fshehurazi me kompaninë “Kelkos Energy” në mënyrë që të pajisë këtë kompani me leje mjedisore.

“Kelkos asnjëherë nuk ka arritur të pajiset me këtë leje dhe ka operuar pa të që nga vitit 2009. Aktualisht kompania Kelkos vepron lirshëm me të gjitha hidrocentralet pavarësisht dëmeve shumë milionëshe dhe të parikuperueshme që vazhdon t’ia shkaktojë ambientit në Kosovë” – thuhej në komunikatën e organizatave që e kanë paditur.

Në fillim të muajit prill, ministri Aliu është paditur për dhënien e lejes mjedisore kompanisë “Kelkos Energy” për hidrocentralin “Lumbardhi” në Deçan.

Megjithatë nga Aliu ishin mohuar akuzat.

“Për rastin konkret ne në Ministri kemi pasur takime me kompaninë ‘Kelkos’. Takimi ka qenë takim zyrtar, me të pranishëm zyrtarët përkatës të Ministrisë, brenda normave protokollare duke pritur kompaninë ‘Kelkos’ si palë që kërkonin vëmendje rreth dy hidrocentraleve që nuk janë pajisur me leje mjedisore, e për të cilat së fundi kompania në fjalë ka dërguar Kosovën në arbitrazh”.

Madje, ministri kishte fajësuar Qeveritë e kaluara, duke thënë se kjo çështje po trajtohet edhe nga organe të tjera e po ashtu brenda ministrisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore