Shqipëria

Prokuroria Elbasan konfirmon se personi i vrarë në burgun e Peqinit është Arben Lleshi


Personi i vrarë në burgun e Peqinit është Arben Lleshi.

Kështu ka konfirmuar këtë të premte të 26 prillit Prokuroria Elbasan.

Verifikimi mësohet se është bërë pas pretendimeve të familjes së të burgosurit të vrarë, se trupi i pajetë nuk ishte i familjarit të tyre.

Dhe konfirmimi është bërë përmes gjurmëve të gishtërinjve.

Pasi refuzuan ta varrosnin, trupi i pajetë i Arben Lleshit ka ngelur në morgun e spitalit të Elbasanit.

Të enjten e 25 janarit janë liruar nga burgu 12 punonjësit e policisë të Burgut të Peqinit.

Këta të fundit, janë të ndaluar në lidhje me rastin, pasi dyshohet se kanë shkelur kompetencat e tyre, duke lejuar të futet në ambientet e burgut një armë zjarri, me të cilën më pas Sokol Mjacaj ka kryer krimin, duke ekzekutuar Arben Lleshin.

Mjacaj – i dënuar me burgim të përjetshëm – ka rrëfyer se vrasjen e kreu pasi mësoi se do të futej në regjimin 41-bis.

Gjithashtu atij i është sekuestruar një aparat celular rreth 3 muaj më parë nga kontrollet e ushtruara në burgun e Peqinit.

I njëjtin aparat celular pritet t’i nënshtrohet një ekspertize të plotë për të gjurmuar telefonatat e tij me persona me rekorde kriminale jashtë qelive të burgut.

Ndërkaq ngjarja ishte tentuar të mbahej e fshehtë nga autoritetet derisa të vendosnin nën kontroll situatën.

Forcat e shumta të ndërhyrjes së shpejtë dhe ato operacionale u futën në ambientet e burgut. Aty zbarkoi drejtori i burgut, policisë dhe prokurori i Elbasanit.

Por vlen të theksohet se e gjitha ndodhi pasi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, lajmëroi se Sokol Mjacaj do të transferohet në regjimin Bis, të sigurisë së lartë.

Disa orë pas këtij lajmi ( gjë që duhet ta ketë mësuar dhe Mjacaj) ai ka dalë në ajrim dhe ka thirrur Arben Lleshin.

“Arben Lleshi, dil”, ishte thirrja e tij.

Ai doli – thuhet se ata as nuk njiheshin – dhe plumbat i vërshuan në qafë.

Padashje plumbat kanë prekur edhe Shaqjan.

Arsyeja, sipas deklarimeve të mëvonshme të Mjacajt: “Nuk më pranoi në sektor” (tezë e hedhur poshtë nga Prokuroria).

Më pas ky shtetas ka kanosur me armë zjarri në dorë punonjësit e shërbimit si dhe më pas është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët në këtë burg.

Pas disa orësh bisedime dhe pasi iu dha siguri për jetën, ai ka hedhur armën poshtë.

Ka marrë prangat dhe ka lidhur duart në kangjella.

Këtu ka marrë fund rebelimi i tij, por ka nisur një karvan i gjatë hetimesh. Jo vetëm për të, por edhe për të gjithë zinxhirin komandues në burg.

Shumë gabime, shumë mangësi dhe pyetje pa përgjigje.

Por Prokuroria e ka të qartë.

Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, konkretisht këqyrja e vendit të ngjarjes, deklarimeve të marra, pyetjes dhe akteve shkresore të administruara, arma e zjarrit është futur në burg dhe më pas është mbajtur në dhomë nga i dënuari Mjacaj për një kohë rreth 20 ditë.

20 ditë, një armë e mbajtur në burg, përkundrejt kontrolleve – nëse ka pasur ndonjë të tillë.

“Arma dyshohet të jetë mbajtur prej tij dhe në ambientet e përbashkëta në këtë burg (ajrim, apo regjimi të brendshëm”, thotë Prokuroria.

E thjeshtë. Në vijim të veprimeve hetimore ka dyshime të bazuara se nga punonjësit e shërbimit, nuk janë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik.

Kjo duke nisur që nga dalja e të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditën e ngjarjes si dhe në ditët e mëparshme.

Gjithashtu gjatë transferimit nga ambientet e godinës të emërtuar si 41 biz ku ka qenë i akomoduar për në godinën B të sigurisë së lartë ku është akomoduar së fundmi i dënuari Sokol Mjacaj rezulton se nuk është kryer procedura standarde e kontrollit fizik dhe të sendeve personale.

E fundit, Prokuroria thotë nuk është njoftuar ngjarja e ndodhur në orën 13:52 në sallën operative të DVP Elbasan apo Komisariatin e Policisë Peqin.

Ka shumë dritëhije dhe teori, por ajo që mbizotëron është pagesa për të kryer vrasjen.

Mjacaj nuk do ta refuzonte një gjë të tillë, duke qenë se vrasjet i ka nisur që në moshën 13-vjeçare – e ndonjëherë pa mëshirë.

Për një varëse, për disa monedha. Për Mjacajn këto vlejnë më shumë se jeta e njeriut.

E sa i takon viktimës, ende pritet të sqarohet lidhja me autorin, apo edhe ndoshta pretë e tij të dikurshme…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore