Lajme

Prokuroria e Shtetit në mbrojtje të votës në Veri


Përmes një njoftimi për media, Prokuroria e Shtetit ka bërë të ditur se është duke mbikëqyrë procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat e Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.

“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët e shtetit së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyrë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit të votimit, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit”, thuhet në njoftim.

Në njoftim tutje theksohet se Prokurori i Shtetit me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë në Polici dhe Prokurori për të gjitha pretendimet eventuale lidhur me keqpërdorimet lidhur me këtë proces.

Ndryshe, vendvotimet janë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 19:00, ndërkaq për t’i shkarkuar kryetarët duhet votuar 50 për qind plus një votues, që procesi të rezultojë i suksesshëm dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në qendrat e votimit në katër komunat veriore ku po mbahen votimet për ose kundër largimit të kryetarëve shqiptarë janë vendosur kamerat.

Organizata “Demokracia në Veprim” e cila përmes ekipeve mobile po vëzhgon procesin e votimit ka njoftuar se procesi i votimit deri në orën 09:00 është i qetë dhe nuk vërehet interes nga qytetarët për të votuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore