Lajme

MacShane e cilëson “sureale” mosnjohjen e Kosovës nga Spanja: Madridi mbështet ideologjinë nacionaliste të Beogradit


Denis MacShane

Denis MacShane, ish-ministri britanik i çështjeve evropiane, deklaroi se refuzimi i Spanjës për ta njohur pavarësinë e Kosovës, duke mbështetur njëkohësisht ideologjinë nacionaliste të zyrtarëve serbë se Kosova është pjesë e Serbisë, shkon në favor të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili synon ta mbajë Ballkanin Perëndimor në një gjendje të përhershme tensioni.

Në një opinion të botuar në rrjetin evropian të lajmeve “Euronews” të shtunën, ish-diplomati britanik e cilësoi “sureale” vendimin e Spanjës për ta njohur Palestinën, por vazhdon të jetë një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që refuzon ta njohë pavarësisë e Kosovës, duke mbështetur politikën e regjimit të Vuçiçit në bazë të dëshirave të Rusisë.

“Spanja ndihmon në mbajtjen e Ballkanit Perëndimor në një gjendje tensioni të përhershëm duke mbështetur ideologjinë nacionaliste të Vuçiçit se Kosova është pjesë e Serbisë. Ndryshe nga vendet e tjera të mëdha të BE-së – Gjermania, Franca, Italia, Polonia, Holanda – Madridi refuzon të njohë Kosovën dhe t’i kërkojë Vuçiçit të pajtohet me realitetin”, shkroi ai.

Spanja nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës për shkak të lëvizjeve secesioniste brenda territorit të vet. Logjika është shumë e thjeshtë – nëse Madridi pranon se Prishtina ka të drejtën e pavarësisë kombëtare, atëherë standardi i njejtë duhet të aplikohet edhe në rastin e Katalonjës dhe Baskisë – rajone që prej kohësh synojnë shkëputjen nga Spanja.

MacShane, në artikullin e titulluar “Spanja njeh Palestinën por jo Kosovën” që e publikoi pas paralajmërimeve të autoriteteve spanjolle për ta njohur Palestinën, përmend ndër të tjera rastin e Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë, të cilat përkundër lëvizjeve secesioniste dhe problemeve në politikën e brendshme, njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“Franca njeh Kosovën dhe injoron kërkesat e Korsikës për pavarësi. Britania e Madhe njeh Kosovën pa e përdorur sovranistët skocezë si argument për shpërbërjen e Mbretërisë së Bashkuar. Kanadaja e njeh Kosovën pa pasur asnjë ndikim në pretendimet e secesionistëve të Kebekut që Kebeku të prishë lidhjet me pjesën tjetër të Kanadasë”, shkroi mes tjerash MacShane.

Ndryshe, shanset që Spanja të lëvizë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës vlerësohen të ulëta, veçanërisht duke pasur parasysh narrativën historike për refuzimin e shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare dhe duke marrë për bazë argumentin e përsëritur se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme midis Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë përpara çdo hapi drejt njohjes.

Spanja duhet ta njohë edhe Kosovën, nëse avancon në njohjen e Palestinës – shkruan gazeta spanjolle

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore