Kosova

Spanja duhet ta njohë edhe Kosovën, nëse avancon në njohjen e Palestinës – shkruan gazeta spanjolle


Ilustrim

Në një artikull të fundit të publikuar në gazetën spanjolle “El Independiente” të enjten mbi paralajamërimin e Spanjës për njohjen e shtetit të Palestinës, thuhet se nëse Spanja avancon në njohjen e Palestinës, duhet të avancojë edhe në njohjen e Kosovës. Në artikullin e gazetës së përditshme spanjolle përmendet edhe vendimi i Spanjës për njohjen e pasaportës kosovare.

Spanja, në janar të këtij viti – megjithatë – njohu pasaportën e Kosovës, duke lejuar lëvizjen e lirë të kosovarëve, sikurse në vendet tjera të Zonës Schengen të Bashkimit Evropian (BE). Gjithashtu, katër vendet e tjera të BE-së (Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia), ndonëse nuk e njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, pranojnë vlefshmërinë e pasaportës kosovare.

Prandaj, gazeta spanjolle e cilëson “budallallëk diplomatik” vendimin për njohjen e pasaportës, por jo të pavarësisë. Sa i përket paralajmërimeve të autoriteteve spanjolle se do ta njohin Palestinën para muajit korrik të këtij viti, në artikullin në fjalë vlerësohet se mosnjohja e Kosovës nuk ndihmon për të çuar përpara integrimet evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Për më tepër, ekziston një kontradiktë e rëndësishme në pozicionin spanjoll, ashtu sikurse në pozicionin e Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë. Gjithashtu, fakti që Spanja avokon që Palestina të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) si shtet i pavarur dhe sovran, thellon edhe më shumë kontradiktën rreth mosnjohjes së Kosovës”, spikatet në artikull.

Spanja nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës për shkak të lëvizjeve secesioniste brenda territorit të vet. Logjika është shumë e thjeshtë – nëse Madridi pranon se Prishtina ka të drejtën e pavarësisë kombëtare, atëherë standardi i njejtë duhet të aplikohet edhe në rastin e Katalonjës dhe Baskisë – rajone që prej kohësh synojnë shkëputjen nga Spanja.

Megjithatë, në artikullin e gazetës spanjolle, autori jep disa shembuj konkretë. Në artikullin e titulluar “Spanja duhet ta njohë Kosovën”, përmenden rasti i Francës, Italisë, Turqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, shtete të cilat, përkundër lëvizjeve secesioniste dhe problemeve që ngriten herë pas here, njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“Disa mund të mendojnë se kjo është për shkak të situatës së Spanjës rreth secesionizmit bask dhe katalanas, por Franca e njeh Kosovën duke pasur Korsikën; Italia gjithashtu ka secesionizmin e Tirolit të Jugut, madje edhe Turqia e njohu Kosovën duke pasur secesionizmin kurd. Mbretëria e Bashkuar gjithashtu, duke pasur secesionizëm skocez”, thuhet në artikull.

Ndryshe, shanset që Spanja të lëvizë drejt njohjes së Kosovës vlerësohen të ulëta, veçanërisht duke pasur parasysh narrativën historike për refuzimin e shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare dhe duke marrë parasysh argumentin e përsëritur se një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë përpara çdo hapi drejt njohjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore