Lajme

Lista Serbe e cilëson “farsë” votimin në veri, kërkon “vëmendje” nga ndërkombëtarët


Zlatan Ellek

Lista Serbe e kategorizoi “farsë” organizimin e votimeve në në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe për largimin e katër kryetarëve shqiptarë që u zgjodhën në prill të vitit të kaluar, duke kërkuar nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare t’i marrë parasysh “disa gjëra” në periudhën e ardhshme rreth procesit që nisi mëngjesin e 21 prillit.

Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – për largimin e katër kryetarëve shqiptarë që u zgjodhën në prill të vitit të kaluar, por ky proces mund të konsiderohet i dështuar për shkak të bojkotimit en masse të komunitetit serb në Kosovë.

E partia kryesore e serbëve të Kosovës e cilësoi “thellësisht të drejtë” thirrjen që i bëri komunitetit serb që të mos merrte pjesë në procesin e votimeve për shkarkimin e kryetarëve komunalë, duke  pretenduar ta ketë kuptuar “lojën e regjimit” të kryeministrit kosovar, Albin Kurti, i cili, sipas partisë që dirigjohet nga Serbia, krijoi vetë kushtet për dështimin e votimeve.

“Së dyti, ne duam të ritheksojmë qartë se ishim më se të gatshëm të merrnim pjesë në këtë proces për të zëvendësuar këta kryetarë të rremë në komunat tona, por ne nuk donim të luanim lojëra të drejtuara nga regjimi në Prishtinë”, pretendoi Lista Serbe, derisa shtoi se bojokotimi i votimeve tregoi “një shkallë të lartë të unitetit të popullit serb” kundër kryeministrit Kurti.

“Dita e sotme tregoi një shkallë të lartë të unitetit të popullit serb, i cili qëndroi konsistent ndaj vetvetes, por edhe dëshmoi se nuk është Lista Serbe dhe Serbia që janë duke i frikësuar serbët, por Kurti dhe njësitë e tij ilegale parapolicore, diçka që rezultoi në rrugë të zbrazëta në veri të Kosovës sot”, përfundoi Lista Serbe pas dështimit të procesit për shkarkimin e kryetarëve.

Një numër i vogël i qytetarëve në komunat veriore shfrytëzoi të dielen të drejtën e votës për të votuar për ose kundër shkarkimit të kryetarëve aktualë. Në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, partia kryesore e serbëve të Kosovës vendosi që edhe njëherë t’u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb në veri që të mos u përgjigjen proceseve demokratike në vend.

Një ndër kushtet e Bashkimit Evropian (BE) për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura në qershor 2023 për shkak të përshkallëzimit të situatës në vend është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe organizimi në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat serbe, kurse nga serbët kërkohet që të marrin pjesë pa kushte.

KQZ-ja e shpall të dështuar votimin në veri – shqiptarët mbesin në krye të komunave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore