Kosova

Kreu i Bordit të ZRRE-së: S’kam informacione se nga cilët operatorë furnizohet “Elektroserveri”


Ymer Fejzullahu

Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë, ka thënë se nuk ka ende informacione se nga cilët operatorë furnizohet “Elektroserveri” – pronë e kompanisë energjetike të Serbisë “Elektroprivreda Srbije” (EPS) – për shpërndarjen e energjisë elektrike në Veri të vendit.

Këto komente, Fejzullahu i ka bërë në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”. Përkundër kësaj, ai ka theksuar se kjo kompani është duke i respektuar ligjet e Kosovës.

“Për momentin nuk e di ende se ku furnizohet me shumicë”, thotë ai.

“Mirëpo, duhet theksuar se ‘Elektroseveri’ e ka obligim që t’i paguajë tarifat e shfrytëzimit të rrjetit për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës, (KOSTT), dhe për Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS)”.

“Ndërsa, tarifat me pakicë që i paguajnë konsumatorët, ai [Elektroseveri], sipas licencës, ka të drejtë t’i përcaktojë me çmime të tregut, apo të propozojë çmime që konsideron se janë të arsyeshme”, shtoi.

Por, potencon Fejzullahu, “siç e kemi theksuar edhe në licencë, në rast se kemi çrregullim të tregut të energjisë, ZRRE-ja e ka për obligim të reagojë”.

Fejzullahu ka nënvizuar se ata qytetarë që furnizohen përmes “Elektroseverit”, furnizohen “me çmime të tregut dhe nuk janë të përcaktuara nga ana e ZRRE-së”.

“Të gjithë konsumatorët në Kosovë, shtëpiakë dhe bizneset – që kanë më pak se 10 milionë euro qarkullim dhe më pak se 50 punëtorë – kanë të drejtë të furnizohen me tarifa të rregulluara nga ana e ZRRE-së; në këtë rast kanë të drejtë të furnizohen me tarifa që janë të përcaktuara për KESCO-n”.

“Sa për informacion, tarifat e propozuara nga ‘Elektroseveri’ janë pothuajse të përafërta me tarifat e përcaktuara nga ZRRE-ja, edhe si strukturë, edhe si çmim”.

Ai ka shtuar se ‘Elektroseveri’ edhe në katër komunat me shumicë serbe në Veri “ka propozuar tarifën me blloqe për konsumatorët shtëpiakë, siç e kemi vendosur edhe ne për pjesën tjetër të konsumatorëve”.

Ndryshe, “Elektrosever” është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë “Elektroprivreda Srbije (EPS)”, ndërsa licencën për operim në territorin e Kosovës në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative e ka marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në fund të muajit qershor të 2022, pas dakordimit për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energji.

Kjo marrëveshje synon të normalizojë shpërndarjen, furnizimin, dhe faturimin e energjisë elektrike për katër komunat në Veri të Kosovës të banuara me serbë etnikë – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Serbët në pjesën Veriore nuk kanë paguar rrymë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore