Lajme

Elektroseveri fillon vendosjen e njehësorëve të rrymës në Veri


Ilustrim

Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), të premten ka njoftuar se kontraktuesi i saj, kompania shtetërore e Serbisë Elektrosever, ka filluar t’i vendosë njësorët e mençur të energjisë elektrike në komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës.

Sipas KEDS, Elektroseveri do t’i vendosë 5 mijë njehsorë të tillë “me fokus te konsumatorët që kërkojnë lidhje të reja dhe tek ata që nuk kanë njehsorë”.

“Ky shërbim është pjesë e sistematizimit edhe të konsumatorëve në veri të vendit dhe paraqet një hap të madh përpara për funksionimin në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirës për tërë rrjetin distributiv të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndër vite, shpenzimet e rrymës në Veri janë paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës, ndërsa nga viti 2017 e këndej nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) dhe nga subvencionet e Qeverisë së Kosovës.

Për ta zgjidhur këtë çështje, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk u zbatua me vite, derisa dy vendet ranë dakord për një udhërrëfyes për zbatimin e saj në vitin 2022.

Me këtë udhërrëfyes, obligimin për furnizimin dhe faturimin e energjisë elektrike në Ceri e mori kompania serbe Elektrosever, e cila u pajis me licencë të operimit në Kosovë po atë vit.

Pavarësisht kësaj, gjendja nuk ndryshoi deri më 1 janar të këtij viti, kur KOSTT-i lajmëroi se që nga kjo kohë e këndej “energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të shtetit”.

KOSTT-i tha atëkohë se Elektrosever “ka filluar ta marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në Veri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore