Lajme

Akuzat e VV-së ndaj Osmanit për planin 9-pikësh të OSBE-së, Thaçi: Me bishtin ndër shalë i keni pranuar të njëjtat


Menduh Thaçi

Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, u është kundërpërgjigjur akuzave të eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje në drejtim të kandidatit shqiptar për President të Maqedoni të Veriut, Bujar Osmani, sa i përket planit 9-pikësh për de-eskalim të situatës në Veri, duke iu thënë se të njëjtat pika i ka pranuar qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.

Këto komente, Thaçi i bëri në një intervistë për “T7”, ku pati edhe përplasje të ashpra me analistin që mbështet hapur LVV-në, Sadri Ramabaja.

“Këta [LVV] nuk përkrahin opsion politik, keni dëgjuar? Jo. Këta e kanë luftën personale. Sulmi ndaj Bujar Osmanit është personal. Gjitha pikat që i përmendin, me bisht ndër shalë i kanë pranuar vetë. Vetë i shpallin zgjedhjet, vetë e bëjnë referendumin…”, deklaroi Thaçi.

Në këtë moment ndërhyri Ramabaja, duke i thënë Thaçit se “me bishtin ndër shalë e ke mbështet demarkacionin me Serbinë atëherë”, por se mori një përgjigje të ashpër nga kreu i PDSH-së, i cili ia rikujtoi se pikërisht kryeministri Kurti është ai që dha urdhrin që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtuese për t’ia dhënë tokat Manastirit të Deçanit.

“Ore Albin Stefan Deçanski. Ti me Stefan Deçanksin e ke bërë manastirin. Ore hajna. Ju mendoni që Arben Taravari është shqiptar i Maqedonisë a? More mashtrues. More dallavergji. E keni falur Stefan Albin Deçanski Manastir”, theksoi.

“Në vështirësi të gjendjes së brendshme, të mashtrimit të madh, si nuk iu vjen turp ta akuzojnë Bujar Osmanin, pse Osmani e shpalli referendumin për t’i tërhequr kryetarët shqiptarë, pse Osmani do t’i shpallë zgjedhjet për t’i sjellë serbët prapë aty, pse Osmani do ta pranojë ‘Zajednicën’ me kompetenca të jashtëzakonshme ekzekutive”, shtoi.

Këta, potencoi ai duke iu referuar VV-së, “në planin franko-gjerman kanë nënshkruar që ‘Zajednica’ dhe krejt serbët që valutë ta kenë dinarin, dhe tash me dallavere mundohen ta qetësojnë opinionin se e kemi suspenduar dinarin…”.

“Çështja e dinarit është kryesorja që shpjegon se këta mundohen ta bartin vështirësinë – se këta kanë gënjyer; kanë thënë kurrë s’e bëjmë ‘Zajednicën’, me ketë gënjeshtër kanë ardhur në pushtet – për t’i zëvendësuar tani temat barten në Maqedoni”, pohoi.

Sa i përket ndërhyrjes së Kurtit dhe VV-së në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, Thaçi theksoi se nuk ka frikë se mund të ketë ndikim, por se një gjë e tillë do ta dëmtojë shtetin e Kosovës.

“As sikletin më të vogël s’e kam që do të kenë ndikim në zgjedhje. I vetmi shqetësim që kam është se kjo ndërhyrje e këtyre do të keqpërdoret në arenën ndërkombëtare”, shtoi.

Madje, kreu i PDSH-së akuzoi Kurti se ai ka shtyrë takimin kryeministrit shqiptar në Maqedoni të Veriut, Talat Xhaferi, i cili që disa herë që nga koha kur është në krye të ekzekutivit maqedonas vjen në Kosovë, por nuk është takuar me homologun kosovar.

“Pse nuk e takoni kryeministrin Talat Xhaferi. Ka bërë kërkesë, ia keni shtyrë takimin më 12 qershor. Pse? Kryeministri Kurti ia ka shtyrë takimin”, potencoi ai.

Ndryshe, Kurti është përfshirë drejtpërdrejtë në zgjedhjet presidenciale (24 prill raundi i parë) dhe ato parlamentare (8 maj, së bashku me raundin e dytë të atyre presidenciale), të Maqedonisë së Veriut, duke i dhënë mbështetje opozitës shqiptare, koalicionit “VLEN”.

Ndërsa për zgjedhjet parlamentare, përveç mbështetjes, Kurti do të ketë në listat e “VLEN”-it edhe kandidatë për deputetë, 3 sosh, me në krye këshilltarin e tij, Bekim Qoku.

Duke mbështetur opozitën shqiptare, kryeministri është rreshtuar kundër partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim, rrjedhimisht kryetarit të saj, Ali Ahmeti, i cili do të garojë në zgjedhje me koalicionin “Fronti Evropian”, pjesë e të cilit është edhe PDSH-ja.

Lidhur me ndërhyrjet e Kurtit në zgjedhje të Maqedonisë së Veriut ka folur edhe kreu i BDI-së, Ahmeti.

Në një intervistë për Albanian Post, ai ka treguar rreziqet malinje që mund të vinë në të ardhmen nga përfshirja e Kurtit në procesin elektoral të Maqedonisë së Veriut.

Kjo ndërhyrje e Kurtit, sipas liderit të BDI-së i hap rrugë apetiteve të vendeve tjera si Bullgaria dhe Serbia, të cilat mund të organizojnë partitë e tyre në Maqedoni të Veriut.

Përfshirja e Kurtit në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të vendit fqinj nuk është e para.

Ai edhe më herët kishte mbështetur kandidatin e pavarur shqiptar – të përkrahur nga opozita shqiptare – për president Blerim Rekën, duke vepruar ndryshe nga partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, BDI-ja.

Po ashtu, edhe në zgjedhjet parlamentare të 2021-së, Kurti kishte mbështetur opozitën shqiptare, përkatësisht koalicionin në mes të Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës dhe Alternativës së Afrim Gashit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore