Kosova

Zyra e BE-së në Kosovë reagon pas shkarkimit të Valdete Dakës


Tomas Szunyog, Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog ka reaguar ndaj vendimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shkarkimin e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka.

Ai përmes një postimi në Twitter, ka bërë të ditur se është e rëndësishme që të gjitha procedurat e shkarkimit të jenë konform ligjeve të Kosovës.

Sipas Szunyog, KQZ-ja duhet të jetë i pavarur në mënyrë që ta kryej punën e saj në mënyrë profesionale.

“Jemi njoftuar për vendimin e presidentes Osmani për të shkarkuar shefin e KQZ-së, e për të caktuar një të ri. Është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës dhe që pavarësia e KQZ-së të ruhet duke siguruar përgatitje profesionale në kohë për zgjedhjet lokale dhe për reformat në ligjin për zgjedhje”, ka shkruar Szunyog.

Gjatë ditës së hënë Osmani e pati shkarkuar kryesuesen e KQZ-s, Valdete Daka, me arsyetimin se “kriteri i të qenit organ i pavarur duhet të sigurohet nga të gjitha institucionet relevante dhe duhet menaxhuar nga brenda nga Kryesuesi së bashku me anëtarët e KQZ-së”.

Presidentja Osmani, pas shkarkimit të Dakës nga detyra, pati emëruar Kreshnik Radoniqin si kryesues të ri të KQZ-së.

Për shkarkimin e Dakës pati reagime të shumta si nga opozita ashtu edhe nga shoqëria civile në Kosovë.

Vendimin e presidentes, Vjosa Osmani, për shkarkimin e Dakës nga detyra e të parës së KQZ-së, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, e pati cilësuar si “goditje të demokracisë”.

Ndërsa rrjeti i organizatave të shoqërisë civile shkarkimin në fjalë e patën vlerësuar si vendim i bazuar në motive politike që rrjedh si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë, pas zgjedhjeve të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore