Lajme

Zvicra voton për dhurimin e organeve


Ilustrim.

Zvicra ka votuar për dhurimin e organeve të transplantit, duke i bërë të gjithë donatorë potencialë pas vdekjes.

Ky ndryshim ligjor u miratua nga 60 për qind e votuesve në referendum.

Sipas ligjeve ekzistuese, transplantet janë të mundshme vetëm nëse personi i vdekur ka pranuar derisa është gjallë, shkruan The Guardian, përcjell Albanian Post.

Gjithashtu kushtet mjekësore për dhurim mbeten të njëjta: vetëm personat që vdesin në njësinë e kujdesit intensiv spitalor mund t’i dhurojnë organet e tyre dhe dy mjekë duhet të konfirmojnë vdekjen.

Dëshirat e tyre shpesh nuk dihen. Në raste të tilla, vendimi u lihet të afërmve, të cilët në shumicën e rasteve zgjedhin kundër dhurimit të organeve.

Në fund të vitit 2021, më shumë se 1 mijë e 400 pacientë ishin në pritje të transplantit të organeve në Zvicër, vend me rreth 8.6 milionë banorë.

Ilustrim.

Vitin e kaluar, 166 persona të vdekur kanë dhuruar organet e tyre në Zvicër dhe janë transplantuar gjithsej 484 organe të tilla.

Por, 72 njerëz vdiqën në vitin 2021, ndërsa prisnin në listën e pritjes së transplantit të organeve, sipas organizatës Swisstransplant.

“Publiku ka treguar se është i gatshëm t’u japë një shans njerëzve që janë në listën e pritjes”, tha drejtori i Swisstransplant, Franz Immer.

Në një përpjekje për të reduktuar diferencën e mbetur, qeveria dhe parlamenti donin ta ndryshonin ligjin në një model të “miratimit të supozuar”, diçka e miratuar tashmë në një numër vendesh të tjera evropiane.

Sipas këtij sistemi, njerëzit, të cilët nuk dëshirojnë të bëhen dhurues organesh pas vdekjes, duhet ta thonë në mënyrë eksplicite.

Ata që nuk i kanë bërë të qarta dëshirat e tyre, do të supozohet se janë në favor.

Megjithatë, të afërmit do të ishin ende në gjendje të refuzonin nëse e dinë ose dyshojnë se personi në fjalë do të kishte zgjedhur të mos dhuronte një organ.

Në rastet kur nuk mund të kontaktohet asnjë i afërm, asnjë organ nuk mund të hiqet.

Rregullat do të zbatohen vetëm për personat e moshës 16 vjeç e lart.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore