Kosova

ZPS: Halitjaha vazhdon dëshminë të hënën në Speciale, dy dëshmitarët e tjerë do të jenë me interes – seancat do të jenë publike


Ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykimi ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të vazhdoj më 4 dhjetor, ku pritet që të gjithë dëshmitarët të dëshmojnë pa masa mbrojtëse.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett.

“Dëshmitarët e javës së ardhshme do të dëshmojnë të gjithë pa masa mbrojtëse. Prandaj, procedurat duhet të jenë kryesisht publike”.

Ai ka theksuar se dëshmitari i cili do të vazhdojë dëshminë e tij është Sadik Halitjaha.

“Dëshmitari i parë është edhe dëshmitari i fundit (Sadik Halitjaha), i cili do të përfundojë dëshminë e tij”, ka thënë Bennet për AP.

Ndërsa, për dy të tjerët e ardhshëm Bennet ka thënë se, “do të jenë me interes”.

Ish eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sadik Halitjaha.

Ish eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sadik Halitjaha, në dëshminë e tij në Gjykatën Speciale kishtethënë se urdhrat nga Shtabi i Përgjithshëm nuk i pranonin as nga ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e as nga personat e tjerë.

Sipas Halitjahës, shtabi i përgjithshëm ka qenë “fiktiv”.

“Urdhrat nuk vinin as nga Hashim Thaçi, por nuk vinin as nga të tjerët mjerisht që ne kemi pritur e kemi idealizuar një Shtab të Përgjithshëm i cili duhet të jetë krejt funksional i cili duhet të ketë nivelin më të lartë të detyrës i cili realisht ka qenë gati thuajse fiktiv, thuajse fiktiv me shumë pak njerëz”, ka deklaruar Halitjaha.

Dëshmitarit Halitjaha, iu kishte prezantuar edhe një fragment i librit të tij ku kishte thënë se sa i takon drejtorisë politike pranë shtabit kishte pak njerëz dhe kuadro që po ashtu ishin pa përvojë.

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së vazhdon më 4 dhjetor

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore