Shqipëria

Zgjedhje historike në Suedi dhe shqiptarët që po garojnë në nivele të ndryshme


Shaip Morina, zgjedhjet ne Suedi

Suedia këtë të diel po mban zgjedhje në të gjitha nivelet, duke filluar nga zgjedhjet parlamentare, ato regjionale e komunale dhe për shkak të klimës së përgjithshme dhe mundësisë së kalimit të pushtetit te krahu i ekstremit të djathtë “fitorja është shumë e rëndësishme, si për shoqërinë suedeze, ashtu dhe për atë skandinave”, thotë Shaip Morina, shqiptari që garon në nivelin lokal për Partinë Socialdemokrate.

Në një intervistë për Albanian Post, Morina, si një nga shqiptarët që po garon në këto zgjedhje, deklaron se “fitorja e kahut të djathtë sigurisht që nuk do t’i kontribuonte klimës së krijuar në rajon pas konfliktit në Ukrainë dhe kur Suedia pret anëtarësimin në NATO, mbase në procedurë të shpejtë”.

Përveç Morinës, për herë të parë, të paktën tre shqiptarë nga partia Socialdemokrate (Rajoni Haland) pritet të zënë vendet e tyre në Parlamentin e Suedisë. Aida Birinxhiku, Adnan Dibrani dhe Arber Gashi.

Por, nëse do të vërtetohen sondazhet parazgjedhore, vendi i njohur për një kohë të gjatë për demokracinë sociale dhe skemat e jashtëzakonshme për qytetarët, mund t’i shohë udhëheqësit e politikave të ekstremit të djathtë, dhe siç shumë kush thotë, partinë që ka rrënjët në ideologji neo-naziste, ta formojnë qeverinë bashkë me Partinë e të Moderuarve, parti e qendrës së djathtë.

Ky do të ishte një ndryshim i rrënjësishëm në një vend ku tradicionalisht krahu i majtë ka udhëhequr në krye me Socialdemokratët, që aktualisht janë në pushtet.

Por, Morina për AP deklarohet i bindur se partia për të cilën garon edhe ai, për zgjedhjet komunale në qytetin e Malmos, do të dal fituese dhe të vazhdojë qeverisjen.

“Sigurisht që presim të fitojmë, mbase me dy-tri mandate dallimi mes dy blloqeve dhe të vazhdojmë të qeverisim’, thotë ai.

Kush po garon?

Socialdemokratët udhëhiqen nga kryeministrja aktuale, Magdalena Andersson, e cila ka garuar me një platformë për ta zvogëluar krimin në zonat ku jetojnë komunitetet pakicë dhe migrantët, për të mbrojtur skemat sociale dhe rritje të punësimit.

Kryeministrja aktuale dhe liderja e Socialdemokrateve, Magdalena Andersson

Në anën tjetër, Ulf Kristersson nga Partia e të Moderuarve, lideri i opozitës, ka pasur një platformë të ngjashme për thirrje të luftës ndaj krimit dhe dhunës nga bandat në zona të pakicave.

“Ai është lider tipik i opozitës, që fajëson qeverinë për politika të dështuara, sidomos për shkak të rritjes së nivelit të dhunës në zonat ku jetojnë komunitetet palkicë”, thotë Jan Teorell për Times, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Stokholmit.

Lideri i opozites dhe kryetar i Partise se te Moderuarve, Ulf Kristersson

Sondazhet e fundit parazgjedhore e nxirrnin Partinë Socialdemokrate të parën me 30 për qind, përcjellur nga Demokratët e Suedisë, parti e ekstremit të djathtë, me rreth 20 për qind dhe Të Moderuarit me 17 për qind.

Rritja e Demokratëve të Suedisë në vitet e fundit ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Në zgjedhjet e vitit 1998 ata do fitonin vetëm 0.4 për qind të votës së përgjithshme, kurse në zgjedhjet e fundit të vitit 2018 dolën partia e tretë më e madhe në vend dhe tani në sondazhe kapin vendin e dytë.

Në Suedi asnjëherë, asnjë parti, nuk formon qeverinë e vetme, por me koalicion dhe koalicioni potencial në mes të Moderuarve dhe Demokratëve të Suedisë është shumë i mundshëm duke e bërë për herë të parë pjesë të qeverisë një parti me rrënjë neo-naziste.

Megjithatë, lideri i Demokratëve Suedezë, Jimmie Akesson, insiston se partia e tij tashmë është larguar nga ato rrënjë.

“Ata që e kanë formuar partinë tonë s’janë më”, ka deklaruar ai në një intervistë për Associated Press.

“Shumica prej tyre tashmë janë zhdukur nga skena politike dhe Demokratët e Suedisë sot janë diçka tjetër nga ajo që ishte formuar 30 vjet më parë”.

Lideri i Demokratëve Suedezë, Jimmie Akesson

Megjithatë, kritikët vazhdojnë t’i akuzojnë për retorikë dhe politika raciste.

Prandaj edhe Shaip Morina, fton shqiptarët e Suedisë të votojnë për socialdemokratët, që Suedia të vazhdojë të jetë një vend me politika sociale dhe në përkrahje të komuniteteve.

“Dhe Danimarka e Norvegjia kishin për 8 vite të pushtet forcat e ekstremit të djathtë e që nuk sollën asgjë pos retorikës populiste. Tani në Danimarkë, Norvegji, Finlandë dhe Suedi qeverisin socialdemokratët, shpresojmë të vazhdojmë”, deklaroi ai.

Zgjedhjet kanë filluar këtë të diel nga ora 7:00 dhe rezultatet preliminare pritet të dihen në mbrëmje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore