Zgjatet afati i paraburgimit për ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës

GJKKO pranon kërkesën e SPAK për zgjatjen e paraburgimit për Redi Mollën, Mariglen Qaton dhe Taulant Tushen
SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
23.09.2024 17:10
Loading Icons...

Gjykata e Posaçme – këtë të hënë të 23 shtatorit – ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për zgjatjen e afatit të paraburgimit për tre ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë.

Konkretisht është zgjatur me 12 muaj afati i ri i paraburgimit për Redi Mollën dhe Mariglen Qaton, duke filluar nga data 28.03.2024 deri në datën 28.03.2025.

Ndërsa për Taulant Tushen afati i paraburgimit është zgjatur me tre muaj, nga data 28.09.2024 deri në datën 28.12.2024.

SPAK i komunikoi akuzat “Korrupsion pasiv” dhe “Mosdeklarim të pasurisë” Mollës dhe Qatos, ndërsa Tushes “shkelje e barazisë në tendera”.

Sipas SPAK, dy ish-drejtorët Qato dhe Molla janë pronarë de facto të kompanisë 5D, e cila ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë.

Nga ana e organit procedues janë kryer veprime të mëtejshme hetimore për të përcaktuar shumat monetare që janë përfituar nga shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k. si rezultat i realizimit të kontratave publike të përfituara në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e prokurimit publik.

Po kështu, janë kryer veprime hetimore për të verifikuar mënyrën e qarkullimit të shumave monetare që përbëjnë “produkt” të veprës penale, duke përfshirë veprimet financiare të kryera nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k brenda aktivitetit të saj tregtar, si dhe destinacionin e shumave monetare të transferuara nga shoqëria tregtare në drejtim të subjekteve të tjera tregtare apo në drejtim të personave të tretë.

Nga veprime hetimore të kryera në këtë drejtim janë mbledhur provat e nevojshme nga të cilat krijohen dyshime të arsyeshme se, shumat monetare të përfituara në mënyrë të parregullt nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k që përbëjnë “produkt” të veprës penale, pjesërisht janë nxjerrë jashtë sistemit bankar nëpërmjet skemës së pagesave për punime fiktike.

Kjo duke u disponuar në gjendje “cash” nga pronarët e vërtetë të shoqërisë tregtare, si dhe pjesërisht janë ri-investuar në aktivitetin tregtar të shoqërisë tregtare të mësipërme.

Janë mbledhur prova të mëtejshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm  se shumat monetare të përfituara në gjendje “cash” janë përdorur më pas për të investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme.