Sport

Ylber Ramadani i shpëton operacionit pas problemeve shëndetësore


Ylber Ramadani

Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Ylber Ramadani ka pasur disa probleme shëndetësore ditët e fundit, por një operacion është shmangur tashmë, thotë skuadra e tij Lecce.

Skuadra e Serie A ka lëshuar një deklaratë zyrtare mbi Ramadanin, duke shpjeguar më qartë atë çfarë kishte ndodhur me futbollistin kuqezi.

“Lecce njofton se futbollisti Ylber Ramadani pësoi një infeksion në qafë javën e kaluar i cili i shkaktoi vështirësi në frymëmarrje për disa ditë”, shkruan Lecce.

“Futbollisti iu nënshtrua menjëherë analizave dhe terapive të specializuara të cilat e lejuan të shmangte operacionin. Deri më sot ai ka kapërcyer fazën akute dhe së shpejti do të jetë në dispozicion të trajnerit”, përfundon njoftimi i klubit italian.

28-vjeçari është në sezonin e tij të parë te Lecce dhe ai është vendosur mirë duke qenë një titullar i pazëvendësueshëm në mesfushë.

Ramadani deri më tani numëron 30 paraqitje në Serie A, nga ku ka realizuar edhe një gol.

Ndeshja e radhës për Lecce-n dhe Ramadanin do të jetë të shtunën në Serie A kur të presin Monza-n në shtëpi.

Aktualisht, Lecce vendoset në vendin e 13 në tabelën e Serie A me 35 pikë. Ata janë 7 pikë larg zonës së rënies nga kategoria.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore