Kosova

VV, Guxo dhe Alternativa s’bëjnë koalicion parazgjedhor


Foto nga Zyra e Kryeministrit mes udhëheqësve të Guxo-s dhe Alternativës

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk do të hyjë në koalicion parazgjedhor me partneret në qeverisjen aktuale, Guxo dhe Alternativa.

Lajmi është bërë i ditur përmes listës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dërguar Albanian Post-it, ku tregohen subjektet politike që kanë kërkuar certifikim si koalicione.

“Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli, me emrin e koalicionit: PDU – BALLI KOMBIT, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, me emrin e koaliconit: AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS, NISMA – NISMA SOCIALDEMOKRATE, LISTA KONSERVATORE, FORUMI INTELEKTUAL – E – 30”.

“Naša Inicijativa dhe Bošnjačka Stranka Kosova, me emrin e koalicionit: NAŠA BOŠNJAČKA KOALICIJA, Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, me emrin e koalicionit: KOALICIJA VAKAT”.

“Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim, me emrin e koalicionit: PDAK – LpB, Partia e Drejtësisë dhe Aleanca Kosova e Re, me emrin e koalicionit: LISTA PËR FAMILJEN, AKR PD”.

Në zgjedhjet e 2021-së, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë mbi 50 për qind të votave, në listë kishin qenë zyrtarë të listës Guxo, të cilët gjatë mandatit të parë janë kthyer në parti politike.

Partitë Vetëvendosje (VV), Guxo dhe Alternativa kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë në politikën e Kosovës, veçanërisht gjatë zgjedhjeve dhe formimit të Qeverisë.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt të 2021-së, Lëvizja Vetëvendosje (VV) garoi në një listë të përbashkët me Lëvizjen Guxo, një subjekt i udhëhequr nga presidentja Vjosa Osmani.

Pas fitores në zgjedhje, VV formoi qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti, në këtë qeveri, anëtarë të Lëvizjes Guxo u përfshinë në pozicione kyçe qeveritare.

Osmani u zgjodh presidente e Kosovës me mbështetjen e VV-së dhe të deputetëve të tjerë, përfshirë ata nga Guxo dhe Alternativa.

Më 9 shkurt të 2025-së, do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore