Kosova

Vuçiç ende s’është thirrur të dëshmojë për rastin “Panda” në Pejë, njofton avokati i familjeve të viktimave


Aleksandër Vuçiç

Ivan Niniç, avokati i familjarëve të viktimave në rastin e vrasjes së gjashtë të rinjve serbë në kafiterinë “Panda” në Pejë, gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998, në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” të mërkurën, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ende nuk është thirrur në seancën dëgjimore të planifikuar për rastin në fjalë.

Niniç kishte dorëzuar në Prokurorinë e Beogradit për Krim të Organizuar kërkesën për një seancë dëgjimore, ku në cilësinë e dëshmitarit pritet jetë presidenti serb, i cili kishte deklaruar përgjatë viteve të fundit se për rastin “Panda” ka disa “informata të caktuara”. Megjithatë, presidenti serb ende nuk është paraqitur para Prokurorisë në Beograd.

“Janë disa arsye dhe faktorë që ndikojnë në mosveprimtarinë e prokurorisë. Deri tani janë dëgjuar 40 dëshmitarë, por ende nuk ka dëshmuar Vuçiçi, i cili vazhdimisht ka thënë se ka informacione se çfarë ka ndodhur realisht në ‘Panda’”, ka theksuar avokati Niniç, derisa ka akuzuar Prokurorinë në Beograd për mos ndërmarrjen e veprimeve.

Krimin, i cili është kryer më 14 dhjetor të vitit 1998, autoritetet e atëhershme të shtetit serb e patën quajtur “akt terrorist” dhe për të i patën fajësuar shqiptarët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Megjithatë vetë presidenti serb në vazhdimësi ka deklaruar se krimi nuk është kryer nga shqiptarët dhe se ai “pothuajse e di” çfarë realisht ka ndodhur në Pejë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore