Vrasja e 18 vjeçarit në Podujevë, procesi gjyqësor nis në seancë të mbyllur

SHFLETO

Prokuroria Themelore në Prishtinë.

 

Altina Marmullaku
11.04.2024 10:30
Loading Icons...

Në seancë të mbyllur ka nisur seanca fillestare për vrasjen e 18 vjeçarit, Lulzim Fejzullahu, rast ky për të cilin janë arrestuar dy persona të dyshuar.

Dy të dyshuarit janë të ngarkuar me veprën penale “vrasje e rëndë”, lajmin se ndaj të njëjtëve është ngritur aktakuzë, e kishte konfirmuar avokati i familjes Fejzullahu, Tomë Gashi.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për Albanian Post kishin konfirmuar se është paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 25.03.2024, ka paraqitur Propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit, ndaj dy personave (të mitur), për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë” në bashkëkryerje, pranë gjykatës kompetente”, kishte thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Deri më tani, dy të akuzuarit kanë qëndruar në paraburgim.

Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje”, nga ana e tyre ishte konfirmuar masa e paraburgimit për të dyshuarit.

18 vjeçari kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) – në klinikën e Emergjencës, ku kishte qëndruar për disa ditë pas rrahjes që kishte marrë nga dy persona.

Rastin fillimisht policia e kishte raportuar si vrasje në tentativë dhe therje me thikë, e në Emergjencë konstatuan vdekjen e tij nga lëndimet në kokën e viktimës, të marra nga shkopi i bejsbollit.

Në përputhje me rrethanat e reja, policia me autorizimin e prokurorit të shtetit, ka ricilësuar veprën penale që po hetohej deri tani dhe ka orientuar hetimin në drejtim të veprës penale “Vrasje e Rëndë”.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), kishte bërë të ditur se është iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit përgjegjës që ndryshoi raportin për rastin 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu dhe rasti do të procedohet në drejtorinë përgjegjëse për hetime disiplinore brenda Policisë së Kosovës.