Auto

Volkswagen-i dhe Kina: Rreziku i mbështetjes në shtetet autoritare


U desh një javë pas pushtimit rus të Ukrainës që Volkswagen-i, BMW-ja dhe Mercedes Benz-i të pezullonin prodhimin dhe shitjet në Rusi.

Të tre prodhuesit gjerman të makinave, që zakonisht i shmangin komentet për politikën ndërkombëtare, dolën me kritika për luftën.

Vendimi nuk kishte shumë kosto pas. Atje, të tre së bashku kanë shitur më pak se 300 mijë automjete vitin e kaluar. Një pjesë e vogël e 13 milionëve që kanë shpërndarë në mbarë botën.

Ama ka pasur më shumë se një moment hezitimi në sallat e bordeve të prodhuesve të mëdhenj të automjeteve.

Një këshilltar i një prej tyre ka thënë se tërheqja nga Rusia është një gjë kurse diçka e ngjashme që mund të kërkohej për Kinën mund të shkaktonte gjë tjetër.

Ajo përbën më shumë se një të tretën e shitjeve në të tre kompanitë.

“Kjo do të ishte afër një krize ekzistenciale”, ka thënë ai për këtë skenar të mundshmen.

Askund nuk mund të jetë më i vërtetë ky parashikim se sa te VW, prodhuesi i dytë më i madh i makinave në botë për nga vëllimi.

Ai punëson afërsisht 500 mijë njerëz në Evropë dhe drejton fabrikën më të madhe të automjeteve në kontinent në Wolfsburg, 125 milje në perëndim të Berlinit.

Kompania ka qenë e para me prani në Kinë thuajse katër dekada më parë dhe mbështetej aty për të paktën gjysmën e fitimeve vjetore neto.

Në vitin 2021, një makinë VW ose një e prodhuar nga filialet Audi, Porsche dhe Skoda, shitej në Kinë çdo 9.5 sekonda. Me kalimin e viteve, VW është “parë si një sinonim për komunitetin gjerman të biznesit” në atë vend, ka thënë shefi i kompanisë në Kinë, Stephan Wöllenstein.

Kompania, edhe para pushtimit rus, ishte e shqetësuar se një qeveri e re koalicioni në Berlin mund të rrezikonte atë që një ish-ekzekutiv e përshkroi si “miniera e arit” e prodhuesit të makinave.

Qeveria e re, e udhëhequr nga Olaf Scholz, ka sinjalizuar një ndryshim në politikën e jashtme që mund të çojë në një marrëdhënie më të tensionuar me Kinën.

Kurse ambasada kineze në Berlin ka ravijëzuar se dëshiron “ndërtimin e urave dhe jo të mureve”.

Zhvendosja nga theksi i ish-kancelares Angela Merkel mbi dialogun vjen në një kohë kur VW mund të jetë në rënie.

Përpos pozicionit të fortë në shitjen e makinave tradicionale, kompania ka luftuar për tregun në rritje për automjetet elektrike në Kinë.

Kjo mund ta bëjë atë edhe më të prekshme nëse pushtimi i Ukrainës gjeneron një reagim të fortë kundër Kinës.

Një rrugë drejt “hapjes demokratike”

Kompania ka qenë ndër të parat që hyri në Kinë në fillim të viteve 1980, pasi Pekini zbuti rregullat për investimet e jashtme.

Kështu, vendi u kthye shpejt në motor të zgjerimit global të saj.

Paçka se kompania ka nënshkruar dy sipërmarrje të përbashkëta me kompani shtetërore, shumë kanë paralajmëruar se kinezët do të përdorin ekspertizën që mblodhën nga VW për të ndërtuar makinat e tyre konkurruese.

Operacionet kineze e mbështetën VW-në gjatë krizës financiare dhe ndihmuan në pagimin e kostove të skandalit të emetimeve të naftës, të cilat arritën në mbi 30 miliardë dollarë.

Mbështetja te Kina u përkeqësua vetëm nga COVID-i, kur pas disa muajsh bllokimesh në fillim të vitit 2020, ekonomia kineze u ringjall, duke zbutur goditjen e mbylljeve të VW në SHBA dhe Evropë.

Por shitjet e kompanisë në Kinë kanë qenë ngadalë në rënie, me vetëm 3.3 milionë makina të shitura në vitin 2021, një rënie prej 14 për qind, teksa tregu kinez në tërësi u rrit katër për qind.

Markat Premium Porsche dhe Audi kanë gjetur një brez fansash të rinj në klasën e mesme të lartë të Kinës, por marka kryesore VW ka pësuar një rënie prej më shumë se 400 mijë njësi në shitje.

Më shqetësuese është se automjetet e saj kryesore elektrike janë shitur më pak në Kinë se sa kishin shpresuar menaxherët në Wolfsburg.

Vitin e kaluar, VW ka shitur vetëm 70 mijë njësi të gamës ID elektrike në vend, shumë më poshtë objektivit.

Po ashtu ka shpenzuar miliarda në një platformë me bateri, kryesisht sepse qeveria kineze kishte sinjalizuar angazhimin për të mbështetur automjetet elektrike.

Dhe është përballur me konkurrencë të ashpër nga versione më të lira të prodhuara nga konkurrentët vendas.

Përpos mungesës së çipave, menaxherët e kompanisë kanë pranuar se ka pasur edhe probleme me produktin, veçanërisht me software-in.

Fillimisht, ai i mungonte aftësia për të integruar mediat sociale të njohura kineze dhe aplikacionet e mesazheve si WeChat.

 

Marrë nga “Financial Times” dhe përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore