Vjosa Osmani: “I kemi hapur jo vetëm dyert por edhe zemrat tona”

SHFLETO
Xhezair Dashi
29.08.2021 21:42
Loading Icons...

Në pritje të 111 afganëve të parë në Kosovë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, ishin të pranishëm edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri, Albin Kurti.

Në fjalën e tij para mediave Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës u ka uruar mirësardhje refugjatëve afganë në Kosovë.

“Refugjatëve afganë të cilët sigurisht janë të dëshpruar që janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre, ju dëshiruam mirëseardhje”.

Ai ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës do të aprovojë çdo kërkesë të SHBA-ve dhe NATO-s.

“Kur bëhet fjalë për partnerët tanë sikurse NATO dhe SHBA, nuk bëhet pyetja pse, por si. Atyre ju thamë që janë mysafirë tanë dhe këtu janë të sigurt”.

Kurti tutje ka thënë se sikurse të gjithë refugjatët e tjerë edhe refugjatët afganë gëzojnë të drejtën për liri.

Albin Kurti në pritje të grupit të parë të refugjatëve nga Afganistani

“Të gjitha çështjet që diskutojmë janë të natyrës teknike, se si këta refugjatë të kalojnë sa më lehtë në vijim. I falënderojmë edhe SHBA-të edhe NATO-n për komunikimin e ngushtë deri në këtë ditë që t’i presim këta refugjatë”, ka deklaruar Kurti.

Presidentja Vjosa Osmani gjithashtu ka bërë me dije se të ardhurit janë ish-punënonjës të aleatëve amerikanë në Afganistan dhe familjarë të tyre.

“Treguam se i kemi hapur jo vetëm dyert por edhe zemrat tona. Si njerëz që kemi qenë viktima të pushtetit gjenocidal i kuptojmë çfarë do të thotë të ikësh nga shtepia jote”.

Ajo tutje ka thënë se “do të bashkëpunojmë me aletatrët në mënyrë që kjo tragjedi paqësore të pakësohet dhe mënyrë që ata të ndihen më të sigurtë”.

Pas arritjes së grupit të parë të shtetasve afganë në Kosovë, të cilët janë 111 persona, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë, ata priten të strehohen në ish kampin e Bechtel Enka-s në Ferizaj.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tregoi në një konferencë për media se në ish kampin e Bechtel Enka-s pritet të strehohen rendi i parë i refugjatëve që kanë arritur në Kosovë të dielën mbrëma, kurse fluturimet e ardhshme të grupeve tjera, tashmë vetëm sa janë konfirmuar.

Sveçla tha se ky është strehim afatshkurtët derisa aleatët tanë ShBA-ja të procedojnë dokumentet e tyre.