Libra

“Virtyti dhe lumturia e Spinozës”


Filozofi holandez, Spinoza

Filozofi i madh holandez-hebre, Spinoza, përfundimisht koncepton tre sisteme të mëdha etike, ose tre karaktere të mëdha ideale të jetës morale njerëzore, të cilat në mjeshtërinë filozofike të tij i harmonizon në një sistem etik të vetëm e të balansuar, gjë që përbën edhe arritje të jashtëzakonshme të mendjes së njeriut.

Njëra i përgjigjet karaktereve si Buddha dhe Jesus, që përfaqësojnë virtytet më të buta të njerëzimit, që të gjithë njerëzit i shohin si të barabartë, që theksin e vendosin mbi triumfin e të mirës mbi të keqen, dhe që si rezultat politik prodhojnë demokracinë.

E dyta i përgjigjet më shumë ashpërsisë së real-politikës së Machiavell-it dhe tonikut gjerman Nietzsche, të cilët primare i konsiderojnë virtytet e pushtetit, betejën, konkurrencën, luftën, pabarazinë natyrore të njerëzve, dhe që si rezultat politik prodhojnë aristokracinë.

Kurse i treti sistem etik rrënjët i gjen në Greqinë antike të Sokratit, Platonit dhe Aristotelit, të cilët s’thirren as në ashpërsi e as në butësi njerëzore, por që konsiderojnë se urtia e determinon kush kur duhet të sundojë e të jetë i sunduar, dhe që virtytin më të lartë njerëzor e konsideron mendjen e ndritur ose inteligjencën. Ky sistem antik grek prodhon politikisht një përzerje mes aristokracisë dhe demokracisë.

Spinoza, si premisë të parë etike e ka lumturinë njerëzore, dhe fare thjeshtë lumturinë e shpjegon si prezencë të kënaqësisë dhe mungesë të dhimbjes.

Por kënaqësia dhe dhimbja nuk janë absolute, por relative; ata s’janë gjendje permanente, por tranzicione. Janë tranzicione sepse lumturia s’është përsosmëri si gjendje në vete, por tranzicion drejt gjendjes së përsosmërisë.

Pasionet te Spinoza janë pasazhe, kalime, të gjitha emocionet jan mocione, lëvizje, që shkojnë ose jo drejtë përsosmërisë.

“Kënaqësia është tranzicioni i njeriut prej një gjendje më pak të përsosur, në një gjendje më shumë të përsosur. Dhe kënaqësia do të thotë që forca jonë është rritur”.

“Dhimbja është tranzicioni i njeriut prej një gjendje më shumë të përsosur, në një gjendje më pak të përsosur.”

Ndjenjat (Spinoza i quan afeksione) i kupton si modifikime të trupit me të cilat forca ose kapaciteti i veprimit në trupa rritet ose zvogëlohet, ndihmohet ose pengohet.

Spinoza virtytin e barazon me fuqinë, dhe për këtë arsye konsideron që “aq më shumë që njeriu synon të ruaj qenien e tij dhe aq më shumë ndjek pas gjërat e dobishme për të, aq më i madh është virtyti i tij”.

Ai justifikon edhe egoizmin njerëzor si instinkt natyror të vetë-ruajtjes.

Etika e Spinozës nuk është e ndërtuar mbi altruizëm ose në mirësinë natyrore të supozuar të njeriut, siç bënin utopistët reformatorë, e as mbi ligësinë dhe egoizmin natyror të cinikëve konzervatorë, por vetëm mbi atë që ai konsideron të jetë egoizëm i pamënjanueshëm dhe i justifikueshëm natyror.

Por esenca e etikës së tij ka tone sokratike sikurse kur shkruan se “përpjekja për t’i kuptuar të tjerët është baza e parë dhe e fundit e virtytit”.

Kurse çka është e rëndësishme në sistemin e tij etik, është se ajo i nënshtrohet sistemit të tij metafizik, ku sikurse mendja ose arsyeja që themelon ligje dhe rregullsi në kaos, këtu mendja krijon rregullsi dhe ligje brenda koasoit të dëshirave.

“Njerëzit që për nga mendja janë të mirë – njerëz të cilët, nën qeverisjen e arsyes, synon atë që është e dobishme për ta – nuk dëshirojnë për vete diçka që nuk e dëshirojnë edhe për pjesën tjetër të njerëzimit”.

Madhështia e njeriut te Spinoza, nuk është të qëndrosh mbi të tjerët e të sundosh, por të qëndrosh mbi kotësitë e gjërave dhe të dëshirave të padijshme, dhe të sundosh veten.

Një filozofi e tillë na mëson ti themi PO! jetës dhe bile edhe vdekjes, sepse qetëson egot tona të zëna me gjëra të atypëratyshme, dhe na thërret të shohim në perspketiva më universale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore