Sport

Vinicius: Isha i sigurt se golat do të vinin


Vinicius Junior e ka nisur sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme.

Braziliani 20-vjeçar i ka shënuar katër gola në po kaq ndeshje në La Liga këtë sezon.

Ky numër është më i lartë se numri që ai kishte shënuar gjatë gjithë sezonit të kaluar.

Përkundër se ai humbiste shumë mundësi viteve të kaluara, Vincius shprehet se ai ka qenë “i sigurt se golat do të vinin”.

Vinicius shënon përballë Levante-s

E për këtë, duket se trajneri Carlo Ancelotti i ka ndihmuar shumë.

“Carlo më ka thënë që para portës të bëj vetëm një ose dy prekje para se të bëj ndonjë goditje”.

“Kjo më ndihmon shumë”, vazhdon Vinicius, “zotëri Ancelotti ka punuar shumë me mua”.

Të luaj në Bernabeu, për Vinicius-in është çuditërisht njëjtë sikur kur luante në “rrugët e Brazilit”.

“Luaj si në rrugë, me shumë dëshirë. Dua t’i dhurojë kënaqësi tifozëve. Luaj që të festojë me ta”.

Nga kjo skuadër aktuale e madrilenëve, Vinicius i zgjedh disa pika kryesore.

“Përzierja e veteranëve me neve lojtarët e rinj është ndihmesë e jashtëzakonshme”, shprehet Junior.

“Unë, Rodrygo, Miguel, Valverde dhe Camavinga, të luajmë me lojtarë si Benzema, Modric, Marcelo e të tjerë për ne është hap i madh drejtë suksesit”.

Kurse nga këta futbollistë, elozhet më të mëdha Vinicius i ka për Karim Benzema-n.

“Është e jashtëzakonshme të luaj me Benzema-n. Ai gjithmonë më ndihmon, është një nga më të mirët e të gjitha kohërave”, thotë Vinicius.

Vinicius dhe Benzema festojnë golin e brazilianit përballë Celta Vigo-s

Ëndrra e tij është e qartë, “të luaj për shumë vite me Real Madrid-in, dhe të fitojë disa trofe të Champions League”.

“Mirëpo”, vazhdon ai, “është një kompeticion ku nuk fiton gjithmonë më i miri, shembull Manchester City sezonin e kaluar. Andaj është edhe shumë e vështirë”.

“Unë nuk jam në shitje”, thotë braziliani, “këtë e tha edhe presidenti. Do të jem këtu për një kohë të gjatë”.

Në fund, ai ka edhe një mesazh për të gjithë tifozët.

“Faleminderit për mbështetjen që më dhuroni. Faleminderit që jeni gjithmonë në krahun tonë. Më e mira do ende për të ardhur, keni besim”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore